Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërinë e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Kështu, Kushtetuesja ka rrëzuar disa nga nenet e këtij ligji.
Më tej, Kushtetuesja i ka kërkuar Kuvendit që brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, t’i ndryshojë nenet e Ligjit, të cilat janë shpallur antikushtetuese.
Kushtetuesja ka sqaruar katër kategoritë kryesore të Aktgjykimit, ku, ndër të tjera, theksohet se me këtë Aktgjykim nuk do të afektohen të gjithë ata zyrtarë, të cilëve u është rritur paga përmes këtij ligji.
“Në fund dhe në kontekst të efekteve të Aktgjykimit që ndërlidhen me konstatimet e Gjykatës përkitazi me mospërputhshmërinë me Kushtetutën të dispozitave të lartcekura të Ligjit të kontestuar, duke u bazuar në parimet që burojnë nga Opinionet relevante të Komisionit të Venecias, praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, me theks në balancimin në mes të parimit të sigurisë juridike dhe të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, Aktgjykimi sqaron katër (4) kategoritë kryesore të efekteve të tij, si në vijim:
Së pari, konstatimet e Aktgjykimit, nuk afektojnë në asnjë mënyrë kategorinë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve të cilëve u është ngritur niveli i pagës përmes Ligjit të kontestuar.
Së dyti, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe për pasojë shfuqizimi i paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, ka pasojën e ruajtjes së nivelit ekzistues të pagave në sektorin publik derisa paga e re, përkatësisht ajo e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar, të bëhet e barasvlershme me pagën ekzistuese. Një përcaktim i tillë buron nga paragrafi 1 i nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, sipas të cilit, nëse një zyrtar publik apo funksionar publik, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ajo/ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë. Rritja e vlerës së koeficientit për çdo vit fiskal në raport me zvogëlimin proporcional të shtesës tranzitore, duke e ruajtur nivelin e pagës ekzistuese për kategoritë që kanë pësuar zbritje pagash, gradualisht rezulton në “harmonizimin/nivelizimin” e plotë me nivelin e pagës së re, të cilën e saktëson Ligji i kontestuar përmes Shtojcave përkatëse. Për më tepër, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe shfuqizimi i paragrafit 3 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, në kontekst të kategorisë së shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, ngërthen detyrimin e trajtimit të kësaj kategorie sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar.
Së treti, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe për pasojë, shfuqizimi i paragrafit 4 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, ngërthen detyrimin e nivelizimit të pagave, nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të kategorisë të të punësuarve pas hyrjes në fuqi të ligjit të lartcekur, bazuar në vet nenin 4 (Parimet e sistemit të pagave) të tij, sipas të cilit, ndër tjerash, “secili, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të barabartë të marrë pagë të barabartë”.
Së katërti, përkundër faktit që (i) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar e që ndërlidhet me lartësinë e shtesës për përvojë të punës; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) i Ligjit të kontestuar ndërlidhur me dispozitat e saktësuara në dispozitivin e Aktgjykimit, janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën, Gjykata nuk ka shfuqizuar të njëjtat, sepse (i) shfuqizimi i të parës ndërlidhur me faktin që Ligji i kontestuar gjithashtu shfuqizon Ligjin nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civil, do të rezultonte në zbrazëti ligjore përkitazi me të drejtën për shtesa mbi pagën për përvojën e punës; ndërsa (ii) shfuqizimi i të dytës, do të afektonte zbatimin e Ligjit të kontestuar në tërësinë e tij. Për pasojë, bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, Gjykata ka urdhëruar Kuvendin që në periudhën prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, të ndryshojë dhe/ose plotësojë nenet e lartcekura në pajtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës, me sqarimin që në kontekst të (i) paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, të drejtat që ndërlidhen me shtesën në përvojën e punës duhet të saktësohen përmes ndryshimit/plotësimit të Ligjit të kontestuar nga Kuvendi, por me efekt nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi; ndërsa (ii) paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, pavarësia funksionale, organizative dhe buxhetore e institucioneve të pavarura kushtetuese, interpretohet dhe zbatohet në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës. Kjo e fundit, marrë parasysh përgatitjet e nevojshme për zbatimin e këtij Aktgjykimi, ka përcaktuar që Aktgjykimi hyn në fuqi më 1 shkurt 2024″.