Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se është mjerim për qeverinë, e cila, sipas saj, injoron nevojat e banorëve të zonës në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, e që të njëjtit po vuajnë humbje të konsiderueshme financiare, për shkak të punimeve të ndërprera në këtë zonë.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka publikuar një video, ku shihet një kolonë e gjatë.
“Tash po e kuptoj edhe arsyen e vërtetë për të cilën Liburn Aliu ka vendosur të bllokojë me çdo kusht punimet në magjistralen Prishtinë – Mitrovicës, pasi që sipas tij Kosova është “shtet i përkohshëm”, e duke e trajtuar si të tillë nuk marrin me seriozitet as shërbimin ndaj vendit dhe popullit. Por kjo nuk do të kalojë, sepse populli nuk është dele siç e mendojnë ata. Populli e ka kuptuar të vërtetën e kësaj qeverie të turpit dhe mashtrimit dhe përgjigjen që do ta marrin në fund do të jetë goditje e papërballushme për ta”, shkroi ajo.
“Është mjerim për qeverinë e cila injoron nevojat e banorëve të kësaj zone, të cilët si rezultat i mos përfundimit të punimeve po vuajnë humbje të konsiderueshme financiare, fermerët janë të bllokuar në aksesin e tyre të nevojshëm dhe qytetarët, veçanërisht tani ata nga mërgata që edhe atë pak kohë sa po arrijnë ta kalojnë në vendlindje, po iu humb në pritje nga kolonat në rrugë”, tha tutje deputetja.
Ndërkohë, Krasniqi ka listuar disa nga njoftimet që ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i kishte bërë gjatë këtij viti në lidhje me këtë projekt infrastrukturor.
Ajo tha se në muajin mars të këtij viti, ministri Aliu kishte njoftuar për publikimin e Njoftimit Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente në Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrje të punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, me gjatësi prej 9.78 km, duke thënë se duhen 25 muaj për finalizimin e këtij projekti.
Ndërkohë, me 8 tetor, “i njëjti ministër shfaqet sërish në këtë magjistrale me një video mesazh duke thënë se tashmë është hapur njoftimi për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve”.
“E një javë më vonë, më 16 tetor sërish bën me dije se kanë hapur njoftimin për dorëzimin e ofertave, në lidhje me kryerjen e punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë”, theksoi deputetja.
Sipas deputetes së LDK-së, bëhet fjalë për shtatë muaj kohë diference dhe, siç potencon ajo, e vetmja punë e bërë nga ministri Aliu në lidhje me punimet në këtë magjistrale, “janë tri postime në faqen e tij në Facebook dhe asgjë konkrete”.
“Qeveri e faqës së zezë”, përfundoi ajo.