Tashmë flamuri i Republikës së Kosovës i vendosur në targat e automjeteve do të qarkullojë lirshëm edhe në territorin e Serbisë.
Kjo pasi shteti serb ka marrë këtë vendim.
Ky vendim pritet të implementohet me datën një janar të vitit 2024.
Ani pse targat kanë simbolje që përaqësojnë shtetësinë e Kosovës, për drejtorin e të ashtëqujturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kjo nuk do të thotë njohje të pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, ky vendim ka qenë obligim i tyre nga marrëveshja e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Kosova për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Petkoviq.
Në ndërkohë, këtë veprim po e mirëpret Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi Peter Stano i ka thënë televizionit Dukagjini se tash pret që Kosova të përgjigjet në formë të ngjashme.
“Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut që lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur. Po ashtu është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor, që në fund përfitues do të jenë qytetarët e rajonit. Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, ka thënë Stano.
E zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ndërmjet një postimi në Facebook ka thënë se Kosova është e interesuar më shumë për një zgjidhje të përhershme.
“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë: na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim”, ka shkruar Bislimi,
Bislimi ndër të tjera ka thënë se ky veprim nuk është konstuktivitet i Serbisë, por maskim e kamuflim pas dështimit të Banjskës.