Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të martë ka pritur në takim Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj.
Në këtë takim është diskutuar për situatën në vend, për sa u përket të drejtave të njeriut.
“Me këtë rast, Avokati i Popullit e njoftoi Presidenten Osmani për rastet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, ndërkohë që u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim të garantimit të të drejtave të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Mes të tjerash, Osmani është informuar edhe për analizën që e ka bërë ky institucion rreth Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkitazi me barazinë gjinore, çështje të cilën Avokati i Popullit e ka ngritur edhe në takimin e fundit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Presidentja dhe Avokati i Popullit kanë diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet homologe në vende të tjera, si dhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.