Gjashtëvjeçari ukrainas, Ilya Kostushevich, i ka shkruar letër kryeministrit britanik Boris Johnson. Ai ka humbur familjen e tij mes luftimeve në qytetin e rrethuar të Mariupolit.
Letra është shpërndarë nga ambasadorja e Britanisë së Madhe në Ukrainë, Melinda Simmons, gjatë kohës kur forcat ruse vazhdojnë me ofensivën e tyre në rajonin e Donbasit, raporton “zaborona.com”.
Ilya Kostushevich në letër ka thënë se ëndërron që asnjë fëmijë në botë të mos njohë luftën, teksa ia ka bashkangjitur një flamur të Ukrainës të vizatuar me dorë dhe fotografinë e tij me një kafshë shtëpiake.
“I dashur Boris Johnson! Unë dua që lufta të përfundojë më shpejt që njerëzit të mos vdesin më. Dua të luaj futboll në shtëpi në Mariupol. Do të doja që të gjithë fëmijët e botës të mos kishin luftë. Përshëndetje për të gjithë fëmijët në Britani, faleminderit që na ndihmoni. Ne do të fitojmë! Unë kam një mace, Frosia. Unë po ju dërgojë flamurin e Ukrainës që kam vizatuar. Të përqafoj fort”, ka shkruar gjashtëvjeçari.