Është pezulluar Partia Socialdemokrate (PSD).
Vendimi është marrë të mërkurën në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përveç saj, KQZ-ja ka pezulluar edhe Partinë për Bashkëveprim, për shkak se këto dy parti nuk kanë mbajtur kuvendet e tyre zgjedhore sipas afatit ligjor.
Afati i fundit për mbajtjen e kuvendit/konventës zgjedhore për partinë politike, “Partia për Bashkëveprim” ka qenë data 8 dhjetor 2023, ndërsa për partinë politike, “Partia Socialdemokrate” ky afat ka qenë më 15 dhjetor 2023.
Sipas vendimit të KQZ-së, këto dy parti politike obligohen që të mbajnë kuvendin e tyre zgjedhor në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe, nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ-ja merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhore brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partive dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.