Kritikohet mungesa e investimeve kapitale, ekonomistët vlerësojnë se duhet të jenë primare nga Qeveria

Mungesa e investimeve kapitale ishte një ndër temat që na shoqëroi gjatë vitit që lamë pas dhe një ndër sfidat më të mëdha për vendin. Ekonomistët kanë kritikuar qasjen e deritanishme të qeverisë karshi investimeve kapitale

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina

Në vitin 2023 munguan investimet kapitale nga Qeveria e Kosovës, dhe kjo padyshim se ndikoi në shumë fusha të shoqërisë kosovare.

Rrjedhimisht, kjo situatë ndikoi edhe në pamjaftueshmërinë e investimeve nga ana e qeverisjeve komunale, gjë që reflektoi negativisht në perspektivën e mirëqenies së qytetarëve në vend.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa, në një prononcim për Portalin Dukagjini ka thënë se një ndër arsyet pse investimet kapitale nuk u realizuan ashtu siç duhet janë edhe procedurat administrative.

Bellaqa ka thënë se këto procedura duhet të thjeshtohen në mënyrë që barrierat burokratike të eliminohen dhe të njëjtat të procedohen.

“Investimet kapitale duhet të bëhen në kapacitete prodhuese, ku gjenerohet hapja e vendeve të reja të punës për grupmoshat e reja dhe të mesme. Këto investime të bëhen në sektorë strategjikë, ku rritet prodhimi i brendshëm dhe rritet oferta vendore, që mos të importohen produktet e shërbimet ku ato mund të prodhoheshin edhe në Kosovë”, ka thënë Bellaqa.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa

Sipas njohësit të çështjeve të ekonomisë, nëse ka ngecje në investime kapitale, ajo do të reflektohet qoftë në mënyrë direkte a indirekte, dhe se si pasojë do të ketë moszhvillim ekonomik dhe social.

Bellaqa ka bërë të ditur se duhet të kemi parasysh dy faktorë, rritjen e konsumit dhe rritjen e investimeve kapitale.

Ai është shprehur se kur këto dy gjëra ndodhin, atëherë do të ndryshojnë pozitivisht rrjedhat ekonomike, duke shkuar nga trendet e zhvillimit ekonomik dhe social.

“Gjithashtu, buxheti i miratuar për vitin 2024, në sektorët strategjikë ka rritje buxhetore si për shembull në arsim, shëndetësi, ekonomi, bujqësi, IT, infrastrukturë e të tjerë”, ka shtuar njohësi i çështjeve të ekonomisë.

Ilustrim

Tutje, Bellaqa ka theksuar se duhet të përgatitet ligji për stimulimin e prodhimit të brendshëm dhe duhet të ketë politika të hapura të tregtisë së jashtme.

Ai ka potencuar se kjo duhet të bëhet duke mbrojtur prodhimet e brendshme me çmime damping (çmime amortizuese), ekonominë dhe tregun.

Bellaqa ka përfunduar duke thënë se çmimet duhet të kontrollohen sipas ligjeve të ekonomisë së tregut të lirë dhe njëkohësisht duke u mbështetur në ligjet nacionale dhe në direktivat e Bashkimit Evropian (BE).

Ndërsa, ekonomisti Mustafë Kadriaj, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se njëra ndër arsyet e Qeverisë për mungesë te investimeve janë orientimi i tyre politik majtist dhe kinse përmes tenderimit është zhvatur buxheti. Kjo e dyta, sipas tij, nuk përkon me ekonominë e tregut.

Kjo situatë, sipas tij, ka sjellë padyshim probleme te bizneset dhe fuqia punëtore, ka rënie të aktivitetit ekonomik te bizneset dhe ulje të mirëqenies te qytetarët, duke rritur kështu gatishmërinë për t’u larguar nga vendi.

“Si rezultat i mosinvestimeve kemi mangësi në rritje dhe zhvillim ekonomik, për faktin që me politika sociale nuk zhvillohet ekonomia. Duke u bazuar në parimet e ekonomisë së tregut duhet të kenë përparësi investimet kapitale si dhe mbrojtja e konkurrencës së lirë si faktor që do të këndellnin ekonominë për vitin 2024”, ka thënë Kadriaj.

Ndërsa, për buxhetin për vitin 2024, prej 3.3 miliardë eurosh, ekonomisti është shprehur se është i lartë, por, sipas tij, nëse fokusi i qeverisë nuk do të jenë investimet, “nuk kanë çfarë na duhen shifrat ku buxheti orientohet në politika të gabuara ekonomike”.

Mustafë Kadriaj, ekonomist

“Si investime kapitale vlerësoj që duhet të përfundohen autostradat e mbetura, që nuk kanë lëvizur me ardhjen e qeverisë Kurti. Si dhe përgatitja për rifunksionimin e hekurudhave në nivel të Kosovës dhe lidhja me shtetet e rajonit në mungesë të portit detar. Hekurudhat dhe autostradat janë arteriet e vetme të mundshme për bashkëpunim tregtar ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Më tej, Kadriaj ka përfunduar duke potencuar se qeveria aktuale duhet të ketë të qartë që Kosova është e orientuar në ekonominë e tregut. Pra, investimet duhet të jenë primare, të cilat derivojnë rritje të aktivitetit ekonomik, rritje të mirëqenies së fuqisë punëtore dhe zhvillim ekonomik.

Kujtojmë që projektbuxheti për vitin 2024 ishte prej 3.3 miliardë eurosh, i njëjti nuk u mirëprit nga partitë opozitare duke u cilësuar kështu si jozhvillimor dhe njëkohësisht edhe stagnues.

Rreth 22.6 për qind e buxhetit të Kosovës për këtë vit është parashikuar t’u shpërndahet 38 komunave të Kosovës.

Konkretisht, mbi 742 milionë euro janë të destinuara për komunat.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika