842 milionë euro janë të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për vitin 2023.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rritje për 118 milionë euro apo 16 për qind, raporton Ekonomia Online.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në konferencën e fundit për këtë vit, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati.
“Kontributet pensionale janë 273 milionë euro, ndërsa së bashku me kontribute kapin shifrën e 1.1 miliard euro. Viteve të fundit kemi kurorëzuar shumë suksese. Inkasimi i borxheve këtë vit është 163 milionë euro, ndërsa tatimi, ndëshkimi e i tërësi kapin shifrën e 529 milionë euro. Punë të madhe ATK-ja ka kryer edhe në luftën kundër evazionit tatimor”.
Sipas Murtezajt, gjatë këtij viti janë kryer 212 aktivitete për shmangie tatimore, 1 bastisje, 22 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, 42 kallëzime penale, 76 raporte informuese për Prokurorinë e 14 aksione së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese.
E sa u përket aktiviteteve përmbushëse, këtë vit janë shqiptuar 715 gjoba për mallin pa origjinë në vlerë prej 4.9 milionë eurosh. Pagesat e tatimeve nga këngëtarët gjatë vitit 2023 kapin shifrën e 2 milionë e 743 mijë eurove.
E ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, tha se me Ligjin e ri, që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset e kanë obligim që t’i regjistrojnë të punësuarit në ATK një ditë para se të fillojë punën.
“Siç e theksuat edhe ju, jemi munduar të japim mbështetje, sepse ATK është kryesore në tatimbledhje për shtetin. Është vërtet mbresëlënëse e performancës dhe shohim të dhëna dyshifrore e të hyrave. Gjithsesi, ka hapësirë të përmirësimit, dhe për këtë jemi kujdesur përmes ligjit që ka kaluar në Kuvend. Deri më tani, për këto dy vite, jemi munduar përmes masave mbështetëse që t’i deklarojnë të punësuarit të tyre. Nga viti i ardhshëm, do të jemi të pakompromis ndaj informalitetit. Me ligjin e ri që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset e kanë obligim që t’i regjistrojnë të punësuarit në ATK një ditë para se të fillojë punën”, tha Murati./EO