E diela e 24 shtatorit të vitit që lamë pas ishte dita kur vendi u përball me një sulm terrorist që shihej e inskenuar plotësisht nga shteti serb.
Fshati Banjskë i Zveçanit ishte vendi ku Serbia kishte planifikuar tashmë sulmin terrorist që shpërfaqi dhe një herë hegjemonizmin serb dhe politikën e tyre antishqiptare.
Sulmi në Banjskë ndodhi në orët e para të 24 shtatorit, në të cilin ra heroikisht rreshteri policor, Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë dhe u plagos një zyrtar policor tjetër, ndërsa u lënduan tre të tjerë.
Pas sulmit, institucionet e vendit njoftuan se grupi terrorist serb ishte i përbërë nga të paktën 30 pjesëtarë, të nëjtit ishin të vendosur në manastirin e këtij fshati dhe përreth tij.
Në orët e mbrëmjes të 24 shtatorit, ministri i Punëve të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.
“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, kishte thënë Sveçla, por nuk ka thënë nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se vrasja në veri është “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, kishte thënë Osmani, derisa kreu i ekzekutivit, Albin Kurti kishte njoftuar se operacioni policor në veri ishte duke vazhduar dhe se policia është në bashkëpunim të ngushtë me forcat e KFOR-it dhe EULEX-in.
Ndalimin e gjashtë të dyshuarve e kishte bërë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e që të njëjtit akuzoheshin për vepra terroriste.
“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshoheshin të arrestuarit.
Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.
Derisa shteti i tij kishte kryer agresion në Kosovë, kreu i tyre, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq vazhdonte ta mbështeste aktin terrorist duke fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe komunitetin ndërkombëtar.
Njëashtu, Vuçiq akuzonte Policinë e Kosovës se përdoret politikisht ndaj serbëve dhe se sipas tij, personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Kjo situatë tanimë kishte shkaktuar reagime të forta nga ndërkombëtarët, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) në krye që dënuan ashpër sulmin.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, kaishte thënë se duhet të vërtetohen të gjitha faktet rreth këtij sulmi, derisa ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i kishte reaguar ashpër Borrelit.
Gërvalla kishte thënë se Borrell nuk e ka thënë asnjë fjalë në mbështetje të Policisë së Kosovës e as kundër terroristëve, duke e cilësuar këtë reagim të turpshëm, e duke pyetur se si “mund ta tolerojnë më këtë cinizëm anëtarët e BE-së?”.
Nuk vonoi shumë dhe Borrell telefonoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe të stabilitetit.
Në njoftimin e BE-së, Borrell e kishte quajtur “terrorist”, “të tmerrshëm”, e “frikacak” sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe kishte vlerësuar që sulmuesit terrorist të dorëzohen menjëherë.
Gjersa emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se të gjithë duhet t’i kthehen menjëherë dialogut. Njëkohësisht ai kishte dënuar sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe se autorët duhet të dalin para drejtësisë.
Ministri Sveçla kishte publikuar pamje ku tregonin praninë e liderit të grupit terrorist, Milan Radojçiq dhe se sipas tij, kjo ishte një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Kosovës.
E hëna e 25 shtatorit ishte shpallur ditë zie në Kosovë, derisa çdo qytetar bashkëndiente me situatët e trishtë që kishte kapluar vendin.
Rreshteri i rënë policor, Afrim Bunjaku, u shpall Hero i Kombit, derisa familjes së tij i’u nda medalja “Mburojë e Policisë”.
Shoqata e Policëve Shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kishte dhuruar 60 mijë dollarë për familjen e policit, Afrim Bunjaku, që humbi jetën në kryerje të detyrës në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Ndërsa tashmë katër muaj pas këtij sulmi, të dyshuarve për këtë vepër penale u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, kështu deri në muajin shkurt të vitit 2024.
Gjykata në tetor të vitit 2023 ua kishte vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarve. Ata gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.
Së fundmi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për RTV 21 ka thënë se disa prej shteteve aleate të Kosovës, qysh në ditën e parë pas sulmit të Banjskës, në takimet me krerët e shtetit të Kosovës kanë paralajmëruar “masa të ashpra në raport me Serbinë nëse konfirmohet se Serbia si shtet ka qenë e involvuar në këtë sulm”.
Osmani ka ritheksuar përsëri se sulmi terrorist në Banjskë erdhi me urdhrin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Tani, unë nuk po e përmend kush saktësisht ka zhvilluar hetime, mirëpo ka hetime të përfunduara dhe nga disa shtete aleate, të cilat kanë dëshmuar drejtpërsëdrejti edhe involvimin e institucioneve shtetërore serbe, tani disa prej tyre dihet…urdhri ka ardhur nga vetë presidenti Vuçiq, kjo tashmë është e dëshmuar, tani ne duhet siç na është thënë nga aleatët, të presim edhe pak sepse secili prej tyre i kanë procedurat e veta të brendshme kur bëjnë publike rezultatet e hetimeve apo konkluzione kështu që jemi në bashkëpunim me ta, asnjëherë nuk e përjashtoj mundësinë që shumë shpejt të dalim me konkluzione të tilla, por mos harroni, ne jemi Kosova dhe ne e bëjmë vlerësimin e interesave tona, këto janë shtete tjera dhe e bëjnë vlerësimin e momentit me të duhur bazuar edhe në interesat e tyre, edhe në mënyrën se si ata i vlerësojnë interesat rajonale apo raportet që i kanë edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, edhe diskutimet që i kanë brenda NATO-s ku fatkeqësisht ne akoma nuk jemi”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Serbisë nuk i vihen sanksionet apo nuk dënohet lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, “nuk do të ketë dialog”.
“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog”, ka thënë Kurti për “Financial Times”.
“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”, ka vijuar kreu i ekzekutivit.
Kohëve të fundit, në media qarkulloi lajmi se ish shefi i BIA-s serbe, Aleksandar Vulin ishte në Banjskë gjatë periudhës kur ndodhi sulmi.
Këtë e kishte thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini.
“Vulin, ish-shefi i shërbimeve sekrete serbe ishte në Banjskë, ishte në veriun e Mitrovicës dhe askush nuk e tha, por diplomacia funksionon pak më ndryshe prej ne që mendojmë, por ai u detyrua të japë dorëheqje në Serbi”, ka thënë Haliti.
Kujtojmë që ende nuk ka asnjë sanksion ose masë ashpërsuese ndaj Serbisë.