Mundësitë ekonomike për komunitetet joshumicë, veçanërisht për popullsinë rome, ashkalike dhe egjiptiane, mund të jenë të kufizuara në Kosovë. Shkalla e lartë e papunësisë dhe pabarazitë ekonomike kontribuojnë në sfidat në ndërtimin e mjeteve të qëndrueshme të jetesës.
Me këto probleme komunitetet joshumicë që jetojnë në Kosovë do të përballen edhe në vitin 2024.
Aktivisti i shoqërisë civile, Gazmend Qyqalla, për Portalin Dukagjinit, thotë se për vitin e ardhshëm pret që cilësia e arsimit te këto komunitete të përmirësohet, derisa theksoi se edhe gjendja socio-ekonomike e rritja e punësimit të jetë prioritet.
“Në vitin 2024 ka shumëçka të përmirësohet dhe të ndryshohet nga cilësia e arsimit te komunitetet, të përmirësohet gjendja socio-ekonomike, të rritet numri i të punësuarve, të punohet që t’i largojmë fëmijët që janë në situatë rruge, të punojmë në parandalimin e diskriminimit”, tha Qyqalla.
“Në institucionet publike numri i të punësuarve është shumë pak, saqë nuk plotësohet as kuota e 10%. Është shtuar, por shumë pak, po ashtu edhe në ato private nuk është gjendja më e mirë, sepse ka shumë nga komunitete që kanë nevojë për punësim”, vijoi ai.
Qyqalla theksoi se gjatë vitit 2023 ka pasur përmirësim në disa fusha për komunitetet joshumicë, si nga ana e shoqërisë civilë dhe e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me banimin dhe infrastrukturën rrugore, por që, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme.
“Gjatë këtij viti ka pasur disa nga projektet, të cilat janë realizuar nga shoqëria civile/ shoqata humanitare që sadopak kanë përmirësuar gjendjen si në ekonomi familjare apo edhe në banim, nga ana tjetër edhe Qeveria e Republikës së Kosovës me disa projekte e me theks të veçantë MAPL, kanë ndërtuar shtëpi të komuniteteve, të cilët kanë pasur nevojë, pastaj u ka ndihmuar të tjerëve në renovimin e shtëpive, dhe në disa komuna të cilët banojnë kryesisht komunitete, janë rregulluar rrugët, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme, sepse ka ende nevojë dhe ka shumë familje që jetojnë në kushte të vështira ekonomike”, tha ai.
Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës që t’i zbatojë ligjet e miratuara që janë në dobi të komuniteteve dhe të shpërndajë bursa për studentët si lehtësim për t’i vijuar mësimet në universitete.
Po ashtu, sipas tij, ekzekutivi duhet të merret më shumë edhe me problemet e banimit, të cilat, sipas tij, janë mjaft të theksuara.
“Fillimisht, t’i zbatojë ligjet të cilat janë të miratuara në dobi të komuniteteve dhe të shtojë masa si kjo e studentëve për bursa, gjë që motivon dhe u mundëson studime më të lehta komuniteteve, të mundësojë nëpërmjet fondeve mundësi biznesi po edhe mundësi të kryerjes së ndonjë zanati tek ata të rinj që dëshirojnë të marrin ndonjë zanat, të punojë edhe në infrastrukturë në disa komuna me bazë në komunitete, të punojë në gjendjen socio-ekonomike, t’i përmirësojë kushtet në banim te familjet e kthyera dhe ato që kanë nevojë”, tha ai.
I vetëdijshëm për sfidat e komuniteteve joshumicë në Kosovës është edhe kryetari i Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Ai, për Dukagjinin, tha se shteti dhe shoqëria kosovare nuk i ka trajtuar gjithmonë mirë ata, derisa theksoi se largimi i një pjese të madhe të kosovarëve nga vendi i ka hapur dyert për punësim për komunitetet joshumicë, të cilët, sipas tij, po e gjejnë mirë veten e tyre në kompanitë private.
“Është dashur që edhe më herët të kemi kujdes sepse edhe ata janë pjesë përbërëse e Kosovës, janë kategori e njerëzve të barabartë me kategoritë tjera. Mendoj që pak u kemi hyrë në hak atyre njerëzve, por megjithatë, përderisa në njërën anë kemi fatkeqësi [që rinia po largohet nga vendi], është fatbardhësi për komunitetet joshumicë sepse po gjenden shumë mirë në pjesën më të madhe të kompanive private. Po na gëzon fakti që gjendjen sociale të familjes së tyre do ta përmirësojnë me këto mundësi që u kanë dhënë”, tha Azemi.
Sipas një raporti të shoqërisë civile të vitit 2022, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës vazhdojnë të vuajnë nga një papunësi veçanërisht e lartë (mbi 90 përqind), dhe individët me këto prejardhje etnike janë në rrezik të lartë të diskriminimit në vendin e punës në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Si rezultat, anëtarët e këtyre komuniteteve zakonisht janë të punësuar në sektorin informal me punë të pasigurta.