Nga grabitja deri te vrasja – Historia e ngjarjes dramatike në Suharekë

Më 22 nëntor të vitit 2023 ndodhi një grabitje e armatosur në argjendarinë “Diakos”. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, kishte mbetur i plagosur një polic, ndërsa, një tjetër ishte lënduar gjatë aksionit teksa organet e rendit e ato të hetuesisë po vazhdojnë hetimet për të zbardhur në tërësi këtë plaçkitje

Një grabitje e armatosur, që edhe në filmat e Hollywood-it rrallë shihet, e lëre më në jetën reale, ndodhi në vitin 2023 në qytetin e Suharekës.

Një ditë e zakonshme për një çast u bë e pazakontë.

Më 22 nëntor, rreth orës 15:45, disa persona të maskuar e me armë të gjata, të cilët cak e kishin vjedhjen e arit në argjendarinë “Diakos”, shkëmbyen zjarr edhe me policinë.

Argjendaria e cila është plaçkitur në Suharekë

Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, kishte mbetur i plagosur një polic, ndërsa, një tjetër ishte lënduar gjatë aksionit.

Grabitësit ishin mirë të përgatitur, andaj për të nisur të shtënat nuk pritën as hapjen e derës së veturës nga ana e zyrtarëve policorë.

“Kanë kryer plaçkitjen e një sasie të konsiderueshme ndërkohë aty është ndalë me intervenu një patrullë e policisë, ende pa dalë nga automjeti, të dyshuarit kanë shkrepur në drejtim të policëve”, ka thënë drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija.

Lëvizjet e policisë ishin të menjëhershme, e vendosën edhe unazën e çeliktë.

Detajet e para u dhanë pak orë pas ngjarjes së rëndë.

“Janë katër persona të dyshuar që ishin të pajisur me arma të gjata, vetura ngjyrë hiri, me targa 01, që ka rezultuar të jetë e vjedhur diku në Prishtinë. Nuk kemi identitet të tyre ende”, kishte vijuar Alija.

Foto ilustrim i vendit të ngjarjes të grabitjes së armatosur në Suharekë

Të dyshuarit kishin vjedhur sasi ari në vlerë rreth 200 mijë euro.

Ndërkohë, prova e parë e krimit u gjet dy ditë pas. Policia lokalizoi veturën që e përdorën grabitësit.

E kishin braktisur në malet e Jezercit.

Grabitësit e armatosur me armë të gjata në dhe jashtë argjendarisë

Rezultatet e para policia i arriti tre ditë më pas.

Organet e rendit kapën tre të dyshuar për ndihmë në këtë plaçkitje.

Gjykata e Prizrenit u caktoi nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të grabitjes, ndërsa njëri nga të arrestuarit u lirua në mungesë provash.

Pamje nga gjykata e të akuzuarve për dhënie të ndihmës grabitësve

Ky arrestim rezultoi i suksesshëm, pasi policia ra në gjurmë të të gjithë grupit të kësaj plaçkitjeje.

Ky ishte vetëm fillimi i një drame, që do të pasonte në përmasa të tjera pak ditë më pas.

Hetuesit e policisë u ranë në gjurmë autorëve të dyshuar për kryerje të kësaj vepre, andaj më 30 nëntor edhe vepruan.

Ata që dyshohej se kryen këtë akt, u zbuluan se po strehoheshin në Prishtinë e Fushë- Kosovë.

Andaj, hetuesit shkuan në këtë rrugë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Pamje të rrugës afër shtëpisë ku po strehoheshin të dyshuarit e vjedhjes në Suharekë

Por, ajo çfarë ndodhi mbase nga një “mendje” e zakonshme nuk pritej. Zyrtarët policorë hasën në një rezistencë agresive të dy të dyshuarve, e të paktën një nga ta gjuajti me armë zjarri në drejtim të policisë.

Për pasojë, një polic mori plagë nga arma e zjarrit, ndërsa, të vendosur në një situatë të tillë, ata u detyruan ta neutralizojnë rrezikun.

Njërin nga të dyshuarit e vranë e tjetri arriti të arratiset.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”, thuhej në përgjigjen e policisë.

Një reagim për këtë ngjarje e bëri edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale, si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti”, kishte deklaruar Sveçla.

Kur të dyshuarit u kapën, doli në pah edhe historia e tyre penale.

Vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim e armëmbajtje pa leje janë vetëm disa prej veprave, që ndër vite ata kanë kryer.

Pamje nga vendi i ngjarjes në lagjen Arbëria në Prishtinë

Të dyshuarit, Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi, të dyshuar për veprën penale “Grabitje” dhe Trim Baraku për “Armëmbajtje pa leje”, më 1 dhjetor, nën masa të rrepta sigurie, u dërguan në Gjykatën Themelore në Prizren.

Secili nga ta, në seancën për caktimin e masës së sigurisë kishin deklaruar se kanë alibi se ku kanë qenë në ditën e pazakontë të 22 nëntorit.

Të dyshuarit më 1 dhjetor nën masa të rrepta sigurie u dërguan në Gjykatën Themelore në Prizren

I dyshuari, Bujar Basha, pretendimet e Prokurorisë për veprën e grabitjes i ka mohuar, madje ai arrestimin e tij e ka ndërlidhur me të kaluarën e tij kriminale dhe studiot televizive.

Më 1 dhjetor nën masa të rrepta sigurie u dërguan në Gjykatën Themelore në Prizren

“Kjo ka të bëjë me të kaluarën time për të cilën unë e kam vuajtur dënimin. E gjithë kjo (ndërlidhet) është si pasojë e analistëve që kanë dalë nëpër studio televizive duke e cekur emrin tim vazhdimisht”, kishte deklaruar Basha.

Ndërsa, i dyshuari tjetër, Leutrim Cakolli, ka mohuar përfshirjen e tij në rastin e grabitjes në Suharekë dhe ka kërkuar nga Gjykata caktimin e një mase tjetër, siç është arresti shtëpiak.

“Ditën kur jam arrestuar, unë vetë jam paraqitur vullnetarisht në Polici dhe i kam dhënë të gjitha provat duke përfshi telefonin, çelësat e veturës, paswordin e telefonit dhe gjërat e tjera dhe kam bashkëpunuar, por, do të kërkoj që kjo masë të zëvendësohet me arrest shtëpiak. Është hera e parë që bie ndesh me ligjin dhe që jam arrestu dhe kam dalë para Gjykatës”, kishte thënë Cakolli.

Po ashtu, i dyshuari Besart Istrefi e ka mohuar përfshirjen e tij në grabitjen e argjendarisë në Suharekë. Ai ka thënë se ditën kritike ka qenë në banesë.

“Unë kam qenë në burg për 7 vjet për një vepër të rëndë si vrasje të dyfishtë. Sipas dispozitave të procedurës penale (ligjit), kjo vepër penale ka dalë të jetë kryer në mbrojtje të nevojshme. Për këtë unë kam qenë në burg për 7 vjet dhe në fund kam dalë i pafajshëm dhe jam liruar për këtë vepër nga Gjykata e Prishtinës dhe e Apelit”, kishte thënë Istrefi.

Si rezultat i hetimeve, policia ka bastisur disa herë një argjendari në Prishtinë, ku dyshohet se një pjesë e arit të vjedhur në Suharekë ishte sjellë aty.

Argjendaria ”Baraku” në Prishtinë ku dyshohet se është dërguar ari i vjedhur në Suharekë

Si rezultat i hetimeve, më 4 dhjetor, policia ka marrë përfundimisht nën kontroll argjendarinë, por nuk e ka konfiskuar arin pa kërkesën e Prokurorisë, ndërsa, nga ana tjetër, ka arrestuar pronarin e saj.

Avokati i tij ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit, ngase, sipas tij, klienti Trim Baraku kishte të bënte me veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe jo me atë të grabitjes.

Pavarësisht deklarimeve të tyre, Gjykata Themelore në Prizren u caktoi nga një muaj paraburgim të dyshuarve.

Organet e rendit e ato të hetuesisë po vazhdojnë hetimet për të zbardhur në tërësi grabitjen e armatosur në Suharekë. Gjithashtu, si shkak i personit që është ende në kërkim, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë për prokuroren e rastit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika