Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti, ka thënë se serbi Boban Bogdanoviq ka kërkuar azil politik në Kosovë për shkak të Millan Radojçiqit.
Në emisionin “FIVE”, Mehmeti ka thënë se ai ka kërkuar strehim politik, pasi është ndjerë i rrezikuar.
“Personin i cili ka ardhur nga Beogradi këtu në favor të zbardhjes së rastit, i njëjti person që ka kontribuuar në zbardhjen e këtij rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është detyruar para pak ditë të kërkojë azil. Ka kërkuar azil politik në Kosovë. Ai është ardhur të dëshmojë në lidhje me rrjetin e personave të Radojçiqit, është njëfarë mjegullie, nuk e di interesin e tij konkret, nuk e di që ka pasur qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka në dosje”, ka thënë Mehmeti.
Milan Radojçiq bashkë më një afarist tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dyshohen për ndërlidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Oliver Ivanoviq ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, i cili është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut, nga të shtënat prej revoles në janar të vitit 2018.
Në rastin për vrasjen e Ivanoviqit po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë.
Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Zyrtarët policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.
Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Para pak ditësh, Prokuroria Speciale (PS) ka ngritur aktakuzë ndaj një personi në rastin e Oliver Ivanoviqit.
Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit M.M, për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”.