Shprehja e lirë e mendimit në rrjete sociale apo medie elektronike e të shkruara, fatkeqësisht po rezulton me dhunë fizike dhe kërcënime në Kosovë.
“Alarm i së vërtetës”
Shprehja e lirë e mendimit është e garantuar me Kushtetutë, në mesin e lirive dhe të drejtave themelore kjo duket që nuk po u bën përshtypje atyre që po kryejnë akte dhune. Gazetarët dhe punonjësit e medieve janë ata që po e pësojnë më së shumti.
Puna e punonjësve të medieve është përçimi i së vërtetës deri te publiku. Por, nëse dikujt mund të mos i pëlqej ajo çfarë është thënë, shkruar apo raportuar, janë rrugët e tjera për të ndjekur, e jo dhuna e kërcënimet.
Vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit 2023 ishin raportuar pesë raste të ndryshme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
“Pengim në kryerjen e detyrës ndaj gazetares Blerta Dalloshi-Berisha me 28, pengim dhe sulm ndaj gazetares Rinë Haziri me 16, kërcënim me jetë ndaj gazetarit Fatlum Berisha, Kërcënim po ashtu edhe ndaj gazetarit Burim Pacollit me 14 si dhe me 1 dhjetor pengim në punën e gazetares Behare Bajraktari”, janë rastet e cenimit të shprehjes së lirë të mendimit.
Jo vetëm gazetarët janë ata që pengohen në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësisë së tyre. Sulme dhe kërcënime pranojnë edhe kameramanët e medieve të ndryshme të vendit.
Në njërën prej tyre shihet se si shtyhet me forcë kameramani i Zërit të Amerikës, Bujar Sylejmani, i cili ishte duke kryer punën e vet profesionale.
Ky “kontakt fizik i shtyrë me forcë” ka ndodhur më 29 nëntor 2023, gjatë protestës së mbajtur nga Partia Socialdemokrate(PSD) kundër Ekaterina Trendafilova – kryetare e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.
Fokusi kryesor i sulmeve ndaj gazetarëve gjatë vitit 2023 janë sulmet në veri. Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) janë 30 sulme ndaj punonjësve të medieve në veri të raportuara.
Disa nga titujt kryesorë të sulmeve ndaj punonjësve të medieve në veri gjatë protestave të serbëve lokalë:
Ekipi i ATV-së sulmohet me gurë në Zveçan, lëndohen gazetari dhe kameramani
Sulmohet ekipi i RTV21 në Zveçan nga protestuesit serbë
Sulmohet vetura me ekipin e REL-it në Zubin Potok
Sulmohet vetura e ekipit të RTV Dukagjinit në Leposaviq
Sulmohet ekipi i RTV21 në Mitrovicën e Veriut
Statistikat vjetore të AGK-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) më 29 dhjetor të 2023 ka bërë të ditur se 74 raste të kërcënimeve e të sulmeve janë raportuar nga gazetarët dhe mediet përgjatë vitit 2023.
Sipas njoftimit, 30 prej këtyre rasteve janë shënuar përgjatë raportimit të gazetarëve dhe të medieve në veriun e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene të ndryshme.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bënë thirrje kolegëve dhe mediave që të mos hezitojnë që t’i raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre, pasi që vetëm në këtë mënyrë përgjegjësit e këtyre veprimeve mund të përballen me drejtësinë”, thuhet në komunikatën për media.
Njëherësh, AGK-ja i ka bërë thirrje policisë, prokurorisë dhe gjykatave të që të mos i neglizhojnë rastet e gazetarëve e medieve, por t’i trajtojnë ato me prioritet, në mënyrë që personat të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.
Ndërsa, Policia e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim për Portalin Dukagjini, ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-tetor 2023 ka trajtuar 28 raste për veprat penale si: 10 raste për kanosje, 2 për zjarrvënie, 7 dëmtim prone, gjashtë për sulm si dhe tri raste për ndërhyrje në sistemin kompjuterik.
Sipas statistikave të dërguara nga Policia e Kosovës, thuhet se:
“Lidhur me rastet e iniciuara pas veprimeve hetimore të cilat janë zhvilluar, në prokurori janë dërguar:
- 11 raste me kallëzim penal kundër 13 personave të dyshuar,
- 2 raste me raport të veçantë, pasi që nuk janë gjetur elemente të veprës penale,
- 6 raste me kallëzim penal kundër personave të pa njohur dhe
- 9 raste ende janë nën hetim”.
Ndërsa, nga Policia e Kosovës janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona të dyshuar për veprat penale të lartcekura.