Numër i madh i qytetarëve është parë të hënën e 1 janarit në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, në ditën e parë ku qytetarët e Kosovës kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të aeroportit “ Adem Jashari” në Prishtinë, 35 fluturime nga Kosova do të realizohet vetëm sot në drejtim të vendeve të BE-së.
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, e kanë mbajtur një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të liberalizimit të vizave.
Kurti tha se një janari shënon edhe heqjen e një padrejtësie të madhe për qytetarët e Kosovës.
Ai bëri të ditur se 50 qytetarë do të udhëtojnë për në kryeqytetin e Austrisë, të mundësuar nga Qeveria.
“Kjo ditë është e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. 50 qytetarë do të udhëtojnë për në Vjenë, ata e fituan këtë të drejtë në kuadër të fushatës tonë informuese. Për herë të fundit, urime liberalizimi i vizave”, ka thënë ai.
Ndryshe, këto janë disa kushtet që duhet t’i plotësoni para se të udhëtoni në zonën Schengen:
Pasaportë biometrike, informata e dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi të vendit ku do të qëndroni hotel apo te të afërmit, detajet e udhëtimit përfshirë biletën kthyese, dokumentet e nevojshme të veturës përfshirë kartonin e gjelbërt dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare.