Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se qytetari është kontribuuesi kryesor, sepse me vendosmërinë e tij për ta nxjerrë vendin “nga moçali i krimit dhe korrupsionit solli edhe progresin e dëshiruar dhe të nevojshëm në liberalizimin e vizave”.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, me një ceremoni të shkurtër u shënua liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti dhe Gërvalla uruan qytetarët e Kosovës për këtë të arritur shumë të merituar.
Kryeministri Kurti para medieve dhe të pranishmëve të tjerë tha se “bashkë me këtë proces po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, me të cilën qytetarët tanë do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende më shumë, si forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”.
Ministrja Gërvalla vuri në pah sfidat me të cilat janë ballafaquar në vazhdimësi qytetarët e Kosovës për shkak të regjimit të vizave, duke theksuar se “secili prej nesh e di sa kohë është humbur në pritje të gjata para ambasadave, sa kohë është humbur edhe në mërgatë , duke siguruar ftesa, fletë garancione dhe burokraci tjera, sa para janë shpenzuar pa nevojë për viza dhe procedura, sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në borë, shi e diell. Por ato kanë marrë fund më ditën e sotme”.
Më tej, ajo tha se, përveç vizitave familjare, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi të zgjerojnë fushën e tyre të aktivitetit, të sjellin investime më të mira dhe më të qëndrueshme në Kosovë.
Ministrja Gërvalla deklaroi se “qytetari i Republikës së Kosovës është kontribuesi kryesor për këtë hap që fillon sot, sepse me vendosmërinë e tij për ta nxjerrë vendin nga moçali i krimit dhe korrupsionit solli edhe progresin e dëshiruar dhe të nevojshëm në liberalizimin e vizave”.
Pas ceremonisë, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla u uruan rrugë të mbarë për në qytetin e Vjenës 50 qytetarëve, të cilët e fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës informuese të liberalizimit të vizave.