Erën e atdheut e përqafimet e disa prej familjarëve kanë mbi tre vite që nuk i kishin ndjerë.
E ndonëse këtë tanimë po e shijojnë, për Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj nuk mund të thuhet se janë të lirë në kuptimin e plotë të fjalës.
Mosdeklarimi publik mbetet njëra ndër kushtet për lirimin e të dyve.
“Të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS-në”, thuhet në vendimin e Gjykatës Speciale faqe 20, pika 59…g.
E këtë, i biri i Gucatit, Musliu po e vlerëson njësoj sikurse gjykimin.
“I gjithë procesi ka qenë i padrejtë. Mënyra se i kanë marrë ka qenë e padrejtë, arrestimi, mbajtja edhe ajo ka qenë e padrejtë. Jemi vazhdimisht në kontakt me avokat dhe të shohim se si do rrjedhin gjanat. Janë kushte të cilave duhet t’u përmbahen deri t’u kalon dënimi, deri në fund të 2024. Shohim pastaj se ç’ka do ndodhë”, ka thënë Musli Gucati, i biri i Hysni Gucatit.
Momentet me babain i kujton me krenari e megjithatë, lirimi i tij qe ndjenjë e përzier.
“Faktikisht ekipet mbrojtëse kanë bë kërkesa për lirim dhe ne ishim në pritje të përgjigjes pozitive apo negative. Normal që jemi gëzu por ka qenë një gëzim i përzier sepse atje nuk ka qenë vetëm babai ynë por kanë qenë edhe shumë baballarë, vëllezër e njerzve këtu në Kosovë. Normal që ka qenë një emocion i përzin, ne i presim të kthehen këtu sa më parë. Normalisht që ka qenë një gëzim, një lumturi por pa u kthyer të gjithë në Kosovë nuk është gëzimi i plotë”, ka shtuar Musli Gucati, i biri i Hysni Gucatit.
Më të vështirë mbajtjen në Hagë të babait e bëri edhe përjetimi i gjyshërve, njëri ndër të cilit humbi jetën gjatë kohës së Gucatit në Hagë.
Hysni Gucati kishte vizituar varrin e babait tre ditë pas varrimit.
Procesin e gjykimit në Hagë e vlerësojnë njësoj edhe nga familja e Nasmi Haradinajt.
“Gjenerali është kthyer në shtëpi, është dashur të kthehet më herët, por është kthyer sot edhe pse nuk kemi marrë asnjë lajm, mënyrën siç e kanë sjellë, ashtu siç e kishin kidnapuar, pra si të kidnapuar, pa u lajmëruar unë apo avokati, ka qenë shumë një spektakël jashtëzakonisht i keq, do të më lënë trauma sjellja e EULEX-it sot ndaj familje Haradinaj dhe ndaj meje”, ka deklaruar Xhejlane Haradinaj, gruaja e Nasmi Haradinaj.
E po e njëjta, drejtësinë në Hagë e sheh të arrirë ndryshe.
“Unë pres drejtësi vetëm nëse një serb që ka bërë krime në këtë vend do të ulet në ato bankat të gjykimit, atëherë mendoj që po shpresoj që bëjmë diçka për drejtësi. Derisa vetëm çlirimtarët ulen aty dhe gjykohen për diçka që as nuk e kanë bërë, unë nuk pres drejtësi aty”, ka theksuar Xhejlane Haradinaj, gruaja e Nasmi Haradinaj.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan në të njëtën ditë në vitin 2020. Edhe aktakuzën e kishin tërësisht njësoj. Por jo edhe ditën e lirimit.
Gucati u lirua më 17 tetor, dy muaj më herët se Haradinaj. Këtë vendim Specialja e arsyetoi me disa veprime jo të mira të Nasim Haradinaj gjatë kohës në qendrën e paraburgimit.
Nasim Haradinaj arriti në Kosovë më 14 dhjetor e vizitat në odën e tij në Gllogjan vazhduan disa ditë. Aty u takua përsëri me Hysni Gucatin por këtë herë në rrethana më të ngrohta.
Sikurse Gucati, Haradinaj humbi një familjar gjatë kohës së tij në Hagë, vëllaun Agron Haradinaj. Sikurse Nasmiu, edhe ai kishte qenë pjesë e UÇK-së.
Ata bga Specialja ishin gjetur fajtor për një sërë veprash penale, që lidheshin me publikimin e një sërë dokumentesh konfidenciale, që kishin mbërritur në zyrat e OVL UÇL-së, për çka ishin dërnuar përfundimisht me nga 4 vite e 3 muaj burgim.