Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar të martën ndërmarrjen “Prishtina Parking”, e cila së fundmi ka ndryshuar rregulloren për parkingje publike në kryeqytet.
Rama ka thënë se banorët rezidentë nuk do të paguajnë parkimin për veturën e parë, ndërsa çmim më të lirë do të kenë për veturën e dytë.
“Pas miratimit të rregullores për organizmin e parkingjeve publike në Prishtinë, zhvillimit të procedurave të nevojshme ligjore, fillon zbatimi i saj. Banorët rezidentë nuk do të paguajnë parkimin për veturën e parë, çmim më të lirë për veturën e dytë, kufizim i qasjes së vizitorëve në lagje në orët e pasdites, sepse vendet e parkingut u takojnë banorëve rezidentë. Të gjitha këto do të nisin të realizohen nga ‘Prishtina Parking’ që nga ky fillim vit, për t’ju ofruar qytetarëve rregull e siguri në parkingje publike”, ka shkruar Rama, teksa është njoftuar nga kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Sokol Havolli, për projektin e digjitalizimit.
Tutje, Rama ka theksuar se “Kryeshefi Ekzekutiv i Prishtina Parking, Sokol Havolli, na njoftoi se këtë vit do të realizohet projekti i digjitalizimit. Projekt shumë i rëndësishëm. Po ashtu, në bashkëpunim me ndërmarrjet tjera publike, do të vazhdojë mirëmbajtja e parkingjeve, ku përfshihet pastrimi, larja dhe shtimi i gjelbërimit. Gjatë 2024-ës do të ketë edhe investime tjera në e nga ‘Prishtina Parking’”.
“Falënderoj punëtorët e palodhshëm të ndërmarrjes, të cilët angazhohen që gjithçka të funksionojë si duhet. Ndërsa, të gjitha projektet presim të realizohen si duhet fal angazhimit të anëtarëve të Bordit dhe ata të Komisionit të Aksionarëve, Sami Salihu, Fadil Hertica dhe Lindita Rexhepi”, ka shkruar tutje ai.