Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar 29 patentë shoferë në 24 orët e fundit, për shkak të shkeljeve të rënda në trafik.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Tutje, në njoftim thuhet se sipas planifikimeve ka pasur patrullime parandaluese, por si zakonisht janë realizuar edhe pika të kontrollit për automjete, ku në nivel vendi janë realizuar 496 pika kontrolli, sipas detyrave që dalin nga urdhri operativ për shtim të masave të sigurisë në trafik.
“Gjatë 24-orëshit të fundit nga zyrtarë policorë janë kryer aktivitete me qëllim që të parandalohen e edhe të ndëshkohen ata që nuk kanë përfillur rregullat në trafik, ku mund të veçojmë se për shkelje më të rënda policia ka konfiskuar 29 patentë shoferë drejtuesve të automjeteve. Policia e Kosovës nuk ka qëllim të vetëm ndëshkimin por parandalimin e shkeljeve të rregullave të trafikut, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik, andaj apelon te pjesëmarrësit në trafik që të respektohen rregullat për një siguri edhe më të madhe”, thuhet në njoftim.