Ish-kryeministri, Isa Mustafa, ka thënë se është vështirë të krenohemi në Kosovë e Shqipëri kur luftëtarët kryesorë të lirisë dhe liderët që kanë përmbysur diktuarën komuniste e kalojnë ndërrimin e moteve në burg e arrest shtëpiak në emër të popullit.
“Drejtësi shtetërore apo turp kombëtar”, ka pyetur Mustafa, duke theksuar se më mirë “ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë”.
“Vështirë është të krenohemi këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesor të lirisë dhe liderët që e përmbysën diktaturën komuniste e kalojnë ndërrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit! Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë”, ka shkruar ish-kryeministri në Facebook.
Ndonëse Mustafa nuk ka përmendur askënd në shkrimin e tij, kujtojmë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë, përreth 3 vjet, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ndërsa, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është në arrest shtëpiak nën dyshimet për korrupsion.