Në pikëkalimet kufitare, Qendra Kombëtare e menaxhimit kufitar ka bërë të ditur se nuk ka kolona dhe pritje të gjata.
QKMK-ja në përditësimin e orës 06:57 njofton se në të gjitha pikëkalimet kufitare pritjet në hyrje dhe dalje të Kosovës janë nga 3 deri në 5 minuta.
Kolona nuk ka as në pikat kufitare Merdarë e te Dheu i Bardhë, ku zakonisht krijohen në kohën e festave dhe të pushimeve verore me ardhjen e bashkatdhetarëve.
Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Por, pavarësisht se Spanja është pjesë e Schengenit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në këtë shtet, pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj.
Më 1 janar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” u organizua udhëtimi i parë i 50 qytetarëve, që fituan udhëtimin drejt Vjenës së Austrisë në kuadër të një fushate informuese të autoriteteve lidhur me liberalizimin e vizave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për vite të tëra qytetarët u privuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.
Gjatë ceremonisë në Aeroportin e Prishtinës, Kurti u kërkoi qytetarëve që udhëtojnë pa viza që të respektojnë kërkesat dhe kriteret, “sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë”.