Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Me urimet e dyanshme për Vitin e Ri 2024, takimin e parë për këtë vit, kryeministri Kurti dhe ambasadori Angılı e filluan duke reflektuar mbi bashkëpunimin përgjatë vitit 2023, sidomos në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë dhe e vazhduan me planet dhe synimet e partneritetit ndërmjet dy shteteve për vitin në të cilin sapo kemi hyrë”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Angılı e uroi kryeministrin dhe popullin e Kosovës për liberalizimin e vizave, që hyri në fuqi me 1 janar.
Ndërkaq, Kurti e falënderoi për urimin dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës dhe gatishmërinë e vullnetin për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Turqi.