Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë, në një vizitë njëditore, ku do të zhvillojë takim me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Kjo është vizita e parë që Lord David Cameron zhvillon në Ballkan pas zgjedhjes së tij si ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.
Në njoftimin e MPJD-së, thuhet se Kosova është destinacioni i tij i vetëm nga shtetet e Evropës Juglindore që kësaj radhe viziton ai.
Kryediplomati David Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga zv. kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me të cilën do të zhvillojë takim ditën e nesërme, duke filluar nga ora 08:30 në zyrat e MPJD-së.
Pas takimit dypalësh, zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, do t’iu adresohen medieve.
David Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 dhe aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm.