Vizita në Kosovë, David Cameron sot takohet me Osmanin e Gërvallën

Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, pritet të takohet me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë

Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, po qëndron për një vizitë njëditore në Kosovë.

Cameron do të zhvillojë fillimisht një takim me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Pas takimit, Gërvalla dhe Cameron do të deklarohen për medie.

Më pas, Cameron pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani. Ndërkaq, një takim me kryeministrin Albin Kurti, Cameron e zhvilloi mbrëmë.

Kurti ka takuar sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, i cili po e viziton Kosovën për herë të parë.

Kurti i uroi mirëseardhje të veçantë në Prishtinë sekretarit Cameron, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit

Ai u shpreh i lumtur që vitin 2024 po e fillon me një takim të rëndësishëm dypalësh me miken, partneren dhe aleaten e afërt të Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, teksa e uroi sekretarin Cameron për detyrën e tij të re dhe Vitin e Ri 2024.

“Në takim u theksua vlera edhe rëndësia e marrëdhënieve të forta bilaterale ndërmjet dy shteteve, teksa u diskutua për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh në shërbim të interesave të përbashkëta dhe të fuqizimit të raporteve të ndërsjella.

Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cameron me progresin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në tri vitet e fundit, sa në aspektin ekonomik ashtu edhe demokratik e të sundimit të ligjit. Foli për sukseset dhe sfidat e vitit 2023 dhe përkushtimin e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik krahas luftimit të krimit dhe korrupsionit, ngritje të mirëqenies së qytetarëve përmes punësimit dhe politikave të duhura sociale, dhe garantim të sigurisë dhe paqes në vend përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Ai e falënderoi sekretarin Cameron për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e kontingjentit të parë prej 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

Ndërsa, sekretari Cameron shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në këtë vizitë, që përveçse është e para e tij në Kosovë, është edhe e para për të jashtë vendit për vitin 2024. Ai u shpreh krenar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës dhe për vendimin dhe qëndrimin për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

“Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim juve. Duam që t’ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”  tha ai në fillim të takimit.

Kjo është vizita e parë e një sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016. Në Prishtinë, sekretari Cameron po shoqërohej nga i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika