Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.
Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie, me ç’rast Gërvalla ka thënë se ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.
“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm, atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla e ka falënderuar Cameron-in për mbështetjen e vazhdueshme që Britania po i jep Kosovës në fusha të ndryshme.
“Është kënaqësi e veçantë ta kemi në Kosovë ministrin e Jashtëm të Britanisë. Pas një kohe goxha të gjatë, është vizita e parë e një ministri të Jashtëm britanik në Kosovë. Gjatë bisedës, folëm rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fusha të ndryshme, sidomos në sundimin e ligjit dhe demokracisë. E falënderova për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës para dhe pas luftës dhe rolin e Britanisë në ndaljen e gjenocidit të Serbisë në vitet ’90-ta. Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse. E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator”, ka shtuar Gërvalla.
Ministrja e Jashtme ka thënë se e sheh Britaninë si aleate shumë të rëndësishme në NATO, “aty ku Kosova synon të anëtarësohet”.