Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, lidhur me temën se a ka pasur rritje të numrit të udhëtarëve me destinacione të ndryshme, ka thënë se vetëm në tri ditët e para të janarit ka pasur rreth dhjetë mijë udhëtarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Por që statistika të sakta të profilit të udhëtarëve nuk kanë, por pretendohet që duhet të ketë rritje të numrit të nisjeve shkaku i valës së mërgimtarëve që vijnë në vendlindje për festat e fundvitit.
Kështu ka bërë të ditur, Valentina Gara, për emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini.
“Vetëm për tri ditë të janarit 2024 në krahasim me janarin e 2023 ka një rritje prej 10 mijë udhëtarë më shumë. Nga 1 deri me 3 janar të vitit të kaluar, rreth 21 mijë udhëtarë. Ndërsa, aktualisht në këtë vit kemi mbi 31 mijë udhëtarë”, ka thënë Gara.
Tutje, ajo ka shtuar se “për profilin e udhëtarëve nuk është se kemi ndonjë të dhënë apo që mbajmë të dhëna. Ata vetëm se regjistrohen si udhëtar. Por, shkaku i festave, kemi gjithnjë numër të madh të nisjeve, pasi që ka shumë bashkudhëtarë që vijnë në vendlindje për fundvit”.
“Është ndjesi e veçantë, sepse nuk do shpalosim pasaportën se a ka validitet apo deri kur ka vizë”, ka theksuar Gara.
“Nuk është e jashtëzakonshme ky numri i udhëtarëve, pasi që thuajse çdo vit kemi pasur rritje të udhëtarëve krahasuar me vitin e kaluar”.