Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se plumbat e gëzhojat që u sekuestruan sot në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur afër vendit ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023.
“Në anën e djathtë të vendit ku u vra polici ynë në shtator, jo në drejtim të manastirit ku tashmë kemi bërë kontrolle, por para urës në këtë fshat – rastësisht kemi hasur në 689 copë municione”, ka thënë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, për Portalin Dukagjini.
Në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, njësia policore sot ka gjetur dhe ka sekuestruar një flamur të Serbisë, 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë kalibrash të ndryshëm.
Siç njofton raporti i policisë, nuk ka të arrestuar, ndërsa rasti është nën hetime.
Ndryshe, në këtë fshat, më 24 shtator 2023, një grup terrorist nga Serbia, i udhëhequr nga Milan Radojçiq, e kishte sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.
Pas këtij sulmi, ky grup kishte hyrë në Manastirin e Banjskës, ku kishin vazhduar luftimet me Policinë e Kosovës.
Si kundërpërgjigje, policia i kishte vrarë 3 pjesëtarë të grupit terrorist. Të tjerët kishin arritur të largoheshin.
Milan Radojçiq aktualisht gjendet i lirë në Serbi.