E ngujuar në një cep të jugut të Gazës, familja e Abu Jaradit po lufton çdo ditë për mbijetesë.
Ata u larguan nga shtëpia e tyre në veri të Gazës, pas shpërthimit të luftës mes Izrael dhe Hamasit – grupit palestinez të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e shpallën organizatë terroriste.
Familja prej dhjetë anëtarësh, e larguar nga shtëpia rehatshme me tri dhoma gjumi, tani ndodhet në një tendë prej gjashtëmbëdhjetë metrash katrorë, në një tokë me rërë të mbushur me mbeturina, që është pjesë e një kampi të gjerë të palestinezëve të zhvendosur.
Çdo anëtar i familjes ka detyra për të kryer. Ato janë të përditshme, nga mbledhja e degëve për të ndezur një zjarr për gatim, e deri te pastrimi i tregjeve të qytetit për të gjetur perime. Por, përpjekjet e tyre nuk mund të mbulojnë dëshpërimin që kanë.
Natën “qentë rrinë mbi tenda”, tha Awatif Abu Jarad, anëtari më i vjetër i familjes.
“Ne po jetojmë si qen”, shtoi ai.
Palestinezët që kërkojnë strehim në jug të Gazës thonë se çdo ditë luftojnë për të gjetur ushqim, ujë, ilaçe dhe tualet.
Gjatë tërë kohës ata jetojnë me frikën e sulmeve ajrore izraelite dhe kërcënimit nga sëmundjet, i cili është në rritje.
Bombardimet dhe pushtimi tokësor i Gazës nga Izraeli, që tani është në javën e trembëdhjetë, kanë shtyrë pothuajse të gjithë palestinezët drejt qytetit jugor të Rafahut, përgjatë kufirit me Egjiptin.
Para luftës, zona kishte një popullsi prej 280.000 dhe sipas agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, kjo shifër është rritur në mbi një milion ditët e fundit.
Ndërtesat në Rafah janë të mbushura me njerëz dhe shumë familje kanë hapur dyert për të afërmit e zhvendosur.
Mijëra tenda janë ngritur në perëndim të qytetit ndërsa mijëra njerëz po flenë jashtë, pavarësisht motit të ftohtë dhe shpesh me shi dimri.
Ushtria e Izraelit kontrollon pjesën më të madhe të veriut të Gazës. Në fillim të luftës, ushtria u kishte bërë thirrje palestinezëve që të evakuoheshin në pjesën jugore.
Derisa lufta vazhdonte, shumë nga urdhrat për evakuim u dhanë për zonat në jug, duke detyruar kështu civilët palestinezë të grumbulloheshin në hapësira gjithnjë e më të vogla, përfshirë Rafahun dhe një pjesë tjetër të afërt, të quajtur Muasi.
Edhe këto hapësira, që supozohet të jenë të sigurta, shpesh goditen nga sulmet ajrore dhe granatimet.
Lufta shpërtheu më 7 tetor 2023 kur grupi radikal Hamas hyri në jug të izraelit duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.
Që nga fillimi i luftës janë vrarë mbi 22.400 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi.
Sipas Nouman, vëllait të Awatifit, konflikti e shpërndau familjen në të gjithë Gazën.
Në ditën e parë të luftës, ata u larguan nga shtëpia e tyre në qytetin verior kufitar të Beit Hanun dhe qëndruan me një të afërm në qytetin e afërt të Beit Laha.
Gjashtë ditë më vonë, intensiteti i sulmeve izraelite në zonën kufitare i dërgoi ata në spitalin Al-Quds në Qytetin e Gazës. Ndërsa dy ditë më vonë, njerëzit filluan të ikin nga spitali, dhe familja udhëtoi për në kampin urban të refugjatëve, në Nuseirat, në Gazën qendrore, duke bërë kështu udhëtim prej dhjetë kilometrash në këmbë.
Ata qëndruan në një ndërtesë të ngushtë të shkollës së OKB-së në Nuseirat për më shumë se dy muaj, por u larguan më 23 dhjetor derisa ushtria izraelite e ktheu vëmendjen drejt objektivave të Hamasit në kampet qendrore të refugjatëve të Gazës.
Familja u arratis në Muasi më 23 dhjetor dhe besonin se kjo ishte mundësia më e sigurt. Natën e parë ata fjetën jashtë. Më pas, për të ndërtuar një tendë, ata blenë najlon dhe dru në një treg në Rafah.
Nouman, që është kontabilist, fle në dyshemenë e mbuluar me najlon, me gruan, motrën, gjashtë vajzat dhe një nip.
Ai tha se tenda kushtonte rreth 276 dollarë.
“Është krejtësisht çmenduri”, tha ai.
Në ekonominë e luftës tendat më të mëdha familjare tani kushtojnë nga 800 deri në 1.400 dollarë.
Vështirësitë e familjes fillojnë në orën 5 të mëngjesit. Nouman tha se puna e tij e parë është të ndezë zjarrin e vogël për të përgatitur mëngjesin, derisa gruaja dhe vajzat e tij gatuajnë bukën dhe më pas lajnë enët e tyre bashkë me tiganin prej metali.
Pas ngrënies, ata kthejnë vëmendjen kah sigurimi i ujit dhe ushqimit.
Nouman tha se ai dhe disa nga të afërmit e tij më të rinj mbledhin enë me ujë nga një tubacion publik aty pranë, ujë që përdoret për larje dhe jo për pije.
Pastaj, ata i drejtohen një prej cisternave të ujit të pijshëm dhe presin në radhë për orë të tëra.
Pasi të marrin ujin, anëtarët e familjes lëvizin në disa tregje të hapura për pemë dhe perime, miell dhe ushqime të konservuara që u nevojiten për mbrëmje.
Ndërkohë, Nouman merret me pastrimin e tokës dhe ndezjen e zjarrit.
Çmimet e ushqimeve janë shtrenjtuar. Gaza po përballet me mungesa të ushqimit dhe ilaçeve dhe është e varur kryesisht nga ndihmat dhe furnizimet që rrjedhin përmes dy pikëkalimeve, një egjiptian dhe një izraelit. Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gazë – afërsisht një e katërta e popullsisë – vuajnë nga uria, thanë Kombet e Bashkuara në fund të dhjetorit.
Dalia Abu Samhadana, një nënë e re që strehohet me familjen e xhaxhait të saj në një shtëpi me plot 20 persona në Rafah, thotë se në treg lokal mund të gjenden vetëm domate, qepë, patëllxhan, portokall dhe miell. Të gjitha janë praktikisht të papërballueshme.
Një qese 25 kilogramësh me miell para 7 tetorit kushtonte rreth 10 dollarë. Që atëherë çmimi ka lëvizur midis 40 dhe 100 dollarë.
“Paratë e mia pothuajse kanë mbaruar”, tha Abu Samhadana, e pasigurt se si do të mund ta ushqejë vajzën e saj.
Palestinezët e zhvendosur në Rafah kanë të drejtë për ndihmë falas nëse regjistrohen në agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, e cila shpërndan miell, batanije dhe furnizime mjekësore në 14 pika në të gjithë Gazën jugore. Ata shpesh kalojnë orë të tëra në radhë duke pritur që ndihmat të shpërndahen.
Abu Samhadana, e cila është me origjinë nga qyteti i afërt jugor i Han Junis, tha se ajo është përpjekur të regjistrohet për ndihmë falas disa herë, por është refuzuar për shkak të mungesës së furnizimeve që kanë në dispozicion.
Agjencia e OKB-së është thjesht e mbingarkuar dhe tashmë po ofron mbështetje për 1.8 milion njerëz në Gazë, sipas Juliette Touma, drejtoreshë për komunikim. Ajo tha se nuk e dinte nëse agjencia kishte ndaluar regjistrimin e kërkuesve të rinj për ndihmë.
Me pak mundësi të mbetura, disa palestinezë të uritur në Rafah kanë rrëmbyer pako nga kamionët me ndihma të cilët po kalonin. Agjencia e OKB-së për refugjatët konfirmoi se disa furnizime ndihme ishin rrëmbyer nga kamionët por nuk dha asnjë detaj.
Policia e Hamasit që shoqëronte kamionët me ndihma nga pikat kufitare për në magazinat e OKB-së është parë duke rrahur njerëz, kryesisht adoleshentë që përpiqeshin të rrëmbenin çfarë të kishin mundësi. Në disa raste ata kanë qëlluar me armë zjarri në ajër. Në një incident, një djalë 13-vjeçar u vra kur policia e Hamasit hapi zjarr.
Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë për shkallë më të madhe të përhapjes së sëmundjeve, sidomos te fëmijët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar dhjetëra mijëra raste të infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, diarresë, morrave, zgjebëve, lisë së dhenve, skuqjeve të lëkurës dhe meningjitit, në strehimoret e Kombeve të Bashkuara.
Përhapja e shpejtë e sëmundjeve është kryesisht për shkak të mbipopullimit dhe higjienës së dobët të shkaktuar nga mungesa e tualeteve dhe ujit për larje.
Familja Abu Jarad improvizoi tualetin e saj të bashkangjitur në tendë, për të shmangur banjot e përbashkëta. Megjithatë, familja është e rrezikuar nga sëmundjet.
“Mbesa ime është 10-muajshe dhe prej se erdhëm në këtë vend, ajo vuan nga humbja e peshës dhe diarreja”, tha Majeda, gruaja e Noumanit.
Të drejtohen në farmaci nuk u ndihmon shumë.
“Ne nuk mund të gjejmë ndonjë ilaç [të përshtatshëm] në dispozicion,” tha ajo./ REL