Haxholli për arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së: Serbia nuk arreston por kidnapon, monton e kriminalizon

Statusi i Hasan Dakaj, i Nezir Mehmetit, dhe i kujtdo që ndalohet dhe arrestohet në Serbi, cilësohet si kidnapim thotë Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka komentuar arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së në Merdar, Hasan Dakaj, duke thënë se Serbia nuk arreston, por kidnapon.

Haxholli në një postim në Facebook, ka shkruar se statusi i Hasan Dakaj, i Nezir Mehmetit, dhe i kujtdo që ndalohet dhe arrestohet në Serbi, cilësohet si kidnapim.

“Serbia nuk arreston, Serbia kidnapon. Serbia nuk gjykon, Serbia persekuton. Serbia gënjen, Serbia monton. Serbia vret, Serbia kriminalizon. Të jemi të qartë, në kontekst të së drejtës së aplikuar dhe praktikave ndërkombëtare, statusi i Hasan Dakaj, i Nezir Mehmetit, dhe i kujtdo që ndalohet dhe arrestohet në Serbi, cilësohet si kidnapim. Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur kurrë, nuk do të ketë asnjëherë”, ka shkruar Haxholli.

Sipas tij, në mungesë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit ka për obligim ndërkombëtarë, që për çfarëdo pretendimi për periudhën e okupimit klasik të Kosovës, qytetarët e ndaluar, duhet t’i shoqërojë dhe t’i kthejë në pikat kufitare me Kosovë.

Ai thotë se po ndodh e kundërta dhe kjo është abuzim me të drejtën ndërkombëtare.

Përtej kësaj, “nga eksperienca e ime nga monitorimi i proceseve gjyqësore ndaj të kidnapuarve shqiptarë në Serbi, proceset gjyqësore janë një lloj riinskenimi i proceseve mesjetare”.

“Për aktakuzën, gjykatave nuk i’u duhet baza ligjore. Me skenare, instrukcione dhe projeksione afatgjata politike, gjykatave në Serbi ju duhet vetëm një emër dhe mbiemër shqiptar. Asgjë më shumë. Sa për dosje, e bëjnë sa çelë e mbyllë syt. I kanë me dhjetëra mijëra. Kosova është dosja e tyre e preferuar. Nëse ju duhen pamje, e gjejnë një foto a xhirim të ndonjë ish pjesëtari të UÇK-së, i cili ngjason me personin e akuzuar, pastaj e porosisin një vlerësim, gjoja forenzik. Vlerësuesit i porosisin që para gjyqit të vijnë më konstatimin që nuk janë të sigurt 100%, por që disa nga pjesët e fytyrës së të akuzuarit ngjasojnë me pamjen në foto. Ping – pongu i tyre me dëshmi dhe me dëshmitarë është cinik, fyes dhe i pafund. Në mesokohë, trupi gjykues dhe aktakuza ndërtojnë pretendimet, pyetje, konstatime, konkludime. Në gjykatë, në komunikim, shpesh e ngatërrojnë avokatin mbrojtës me të akuzuarin, gjoja për t’i disiplinuar për procesin, seriozitetin e tij”.

Ai theksoi se për shqiptarët e Kosovës, Serbia është një ‘burg’ i hapur, ku qarkullimi në këtë territor mund të përfundojë në çdo moment në burgjet ku mbyllen dyert.

“Përveç kidnapimit dhe proceseve farsë, me të cilat synon ta devijoj një periudhë, një histori të gjenocidit në Kosovë, Serbia nuk ofron asnjë siguri fizike as juridike.
Mungesa e kësaj sigurie buron nga urrejtja që kjo krijesë ka kundër çfarëdo që frymon shqip. Kidnapimet janë refleks impulsiv me të cilin forcat e errëta, dikur okupuese, ëndërrojnë ta rindërtojnë dhe rikthejnë historinë. Shkrimtari serb emrin të cilit nuk dua t’ia përmend këtu, D. C. ka folur për rëndësinë që ka gënjeshtra, lexo: mashtrimi, për Serbinë. Por për ta kuptuar thellësinë e kësaj skizofrenie politike, njeriu duhet ta përcjellë një proces gjyqësor kundër një të akuzuari shqiptar. Para një gjyqi në Serbi, kurrë nuk do të deklarohesha për asgjë, përpos se jam shqiptar. Me automatizëm për gjyqet e tyre, kjo do të më ngarkonte me fajësi!”, shtoi ai.

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika