Krasniqi: Qeveria Kurti më e dobëta dhe paafta në Kosovë

Duke pasur parasysh këto rrethana, Krasniqi është i bindur se gjatë vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, ndërkaq paralajmërimet për luftë frontale me Serbinë i konsideron fryrje e zjarrit pa asnjë arsye nga kryeministri Albin Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se Qeveria Kurti është më e dobëta dhe paafta në Kosovë. Sipas tij, nën qeverisjen e Albin Kurtit ka degraduar arsimi, shëndetësia dhe ka stagnuar zhvillimi ekonomik.

Lideri opozitar në një intervistë kritikon Kurtin që nuk ka hartuar një draft-statut të asociacionit, derisa i kërkon të merr një vendim për draftin e propozuar nga euro-amerikanët, të cilin e quan jashtëzakonisht të dëmshëm për Kosovën.

Duke pasur parasysh këto rrethana, Krasniqi është i bindur se gjatë vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, ndërkaq paralajmërimet për luftë frontale me Serbinë i konsideron fryrje e zjarrit pa asnjë arsye nga kryeministri Albin Kurti.

“Qeveria e Albin Kurtit do të mbahet mend si qeveria më e dobët në Kosovën e pavarur, si qeveria më e paaftë, si qeveria më jo efikase në cilëndo prej fushave. Në asnjë fushë ne nuk jemi më mirë sesa kemi qenë para tri apo pesë vjetësh. Arsimi ka degraduar, rezultatet e PISA tregojnë për një rënie më të madhe në cilësinë e mësim-nxënies. Shëndetësia është në kolaps, sot as spitalet më të rëndësishme nuk kanë mjetet elementare, derisa listat e pritjes edhe në ato klinika ku nuk ka pasur janë shkuar në disa muaj.

Ekonomia jonë ka stagnuar, rritja 3.5 për qind është më e vogël sesa rritja në vitet e para të pavarësisë. Emigrimi ka marrë përmasa shqetësuese, vise të Kosovës, veçanërisht rurale që pothuajse janë shpopulluar totalisht. Kemi një diplomaci në vdekje klinike, ku nuk kanë arritur jo vetëm të marrin në njohje të re, por e kanë humbur edhe mbështetjen dhe respektin nga shtetet më mike të Kosovës. Është kjo qeveri që ka sjellë sanksione nga Bashkimi Evropian”, tha Krasniqi.

Kryetari i PDK-së, thekson se Kurtit i është minimizuar hapësira për taktika sa i përket asociacionit, andaj në muajt e parë të vitit 2024 duhet të merr vendim ta pranojë ose të refuzojë draftin e propozuar nga euro-amerikanët.

“Ka qenë përgjegjësi e tij që të hartojë draftin që prej ditës që e ka marrë detyrën si kryeministër. Ne e kemi inkurajuar të bëjë një gjë të tillë, publikisht dhe privatisht në ato pak takime që jemi parë. Kosova do të duhej vetë të shkruajë draftin, në mënyrë që të bënte të qartë pozicionimin e vet institucional dhe shtetëror, dhe normalisht të kishte një pozicion shumë më të favorshëm në diskutimet e mëvonshme sa i përket arritjes së një pajtueshmërie me ndërmjetësit ndërkombëtarë.

Hapësira për taktika i është minimizuar totalisht kryeministrit dhe ai duhet të merr një vendim një herë në jetën e tij për këtë çështje. Të jetë i qartë, e pranoi ose e refuzoi, pasi nuk mund ta shtyjë gjatë me këtë paqartësi dhe manipulim sikur deri tash”, tha Krasniqi.

Ai konsideron se drafti i asociacionit krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive.

Shpërfaqjen e dallimeve ndërmjet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, Krasniqi i sheh më shumë si taktika politike, teksa thotë se presidentja s’ka rol aktiv në dialog.

“Presidentja s’ka rol aktiv në çështjen e dialogut. Ndikimi i saj është i limituar dhe sipas Gjykatës Kushtetuese i takon kryeministrit sa i përket dialogut dhe siç thuhet figurativisht topi është në fushën e tij, por ai nuk po luan. Të shohim cilat do të jenë veprimet në fillim të vitit, por një vendim apo veprim është i pashmangshëm cilido që është ai. Drafti i statutit është absolutisht i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës, krijon paqartësi të cilat vërtet mund të rrezikojnë karakterin e shtetit tonë në të ardhmen.

Definitivisht krijon mundësi konkrete për krijimin e niveli të ri të pushtetit, pasi asociacionit i japin kompetenca të qarta ekzekutive. Në ditën e miratimit të tij dhe themelimit të asociacionit, drafti mund të duket që nuk ka kompetenca të shtuara ekzekutive, por hapat pasues të cilat i lejon të ndërmerre në nivel të komunave dhe asociacionit si trup i ri krijojnë një nivel të ri të pushtetit”, tha Krasniqi.

Sipas tij, asociacioni dhe dialogu është barrë e rëndë për kryeministrin Kurti, andaj zgjedhjet e parakohshme janë në horizont gjatë vitit 2024.

“Unë jam i bindur se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje. Po shihet tashmë edhe nga deklarimet dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit Kurti, nga tubimet e karakterit elektoral, por edhe nga forma aspak korrekte dhe e drejtë e shpenzimit të buxhetit të shtetit në raport me subvencionimet e ndryshme që i kanë bërë dhe që i kanë planifikuar. Por, mbi të gjitha, edhe nga mënyra e propagandimit që po vazhdojnë ta bëjnë, përkundër mungesës së rezultateve konkrete në cilëndo prej fushave. Besoj se në vitin 2024 gjithsesi do të kemi zgjedhje të parakohshme, por nuk mund të them me siguri se a do të mbahen ato në qershor, në tetor më herët apo më vonë.

Kjo do të varet nga konteksti mbi të cilin do të bëhet shkuarja drejt zgjedhjeve të parakohshme. Asociacioni, dialogu dhe gjërat që ndërlidhen me të edhe të kaluarën i kanë përfunduar qeverisjet parakohshëm. Kurti nuk do të jetë imun ndaj kësaj, pasi hapësira për taktizime i është zvogëluar maksimalisht. Ai duhet të vendosë ose duhet të pranojë dhe të miratojë draftin për statusin e asociacionit dhe ta dërgojë në Kushtetuese ose ta refuzojë. Cilindo prej këtyre veprimeve do të ketë pasojat për të personalisht dhe qeverinë që ai udhëheq. Do të ketë ndikim në kontekstin politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, thekson Krasniqi për kp.

Në anën tjetër, ai deklaron se gjithmonë ekziston potenciali për cenim të sigurisë në veri, por paralajmërimet për luftë frontale për një konflikt të gjatë dhe të armatosur janë vetëm një fryrje e zjarrit nga Kurti për të shmangur vëmendjen reale nga problemet e brendshme të Kosovës.

“Është tashmë e dëshmuar se potenciali për të pasur cenim të situatës së sigurisë në Kosovë është real dhe evident. Sulmi terrorist në Banjskë i orkestruar nga Radojiçiq dhe i mbështetur nga shteti serb është dëshmia më e mirë për cenimin dhe brishtësinë e situatës së sigurisë në veri. Por, paralajmërimet për luftë frontale, për një konflikt të gjatë dhe të armatosur, unë besoj se janë vetëm një fryrje e zjarrit pa asnjë arsye reale nga ana e kryeministrit për të shmangur vëmendjen nga problemet reale që i ka vendi jonë sot”, përfundon Krasniqi./KSP

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika