Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se java e parë e vitit 2024 ka qenë me zhvillime pozitive për Kosovën.
“Java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë. Për herë të parë, mund të udhëtojmë në zonën shengen pa viza. Targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka thënë se “filloi regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave. Ndërkaq në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Spanja iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës”.
Sipas Kurtit fillimet që po i shenojmë tani janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve të Kosovës që po vazhdon edhe më tej.
“Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë. Vazhdojmë!”, ka përfunduar ai.