Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, ka thënë se arrestimi i politikanit serb, Nikola Sanduloviq, nga BIA serbe, dhe torturimi i tij deri në atë masë, është një shpërfaqje e politikës serbe për të gjithë ata që dënojnë krimet zyrtare të Serbisë gjatë viteve të 90-ta në Ballkan, përkatësisht në Kosovë.
I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Veseli ka thënë se doktrina dhe taktikat në Serbi vazhdojnë të jenë të vjetra.
Po ashtu, ai foli edhe për mosreagimin e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.
“Kidnapimi dhe burgosja e tij, torturimi i tij deri në atë masë buzë vdekjes bazuar në supozimet e familjes së tij, është një shpërfaqje e politikës zyrtare të Serbisë për të gjithë ata njerëz që mendojnë ndryshe, që dënojnë krimet e politikës zyrtare dhe shtetit serb gjatë viteve 90-ta që i kanë realizuar në Ballkan, në Kosovë. Të vendosësh lule te varret e familjes Jashari, e bën vetëm ai që ka ndjenja sadopak njerëzore, e këtë e ka bërë Sanduloviqi, që të torturohet e ta sjellin buzë vdekjes këtë e bën vetëm Serbia. Aleksandër Vulini, atë urdhër që e ka dhënë për arrestimin e tij në atë kohë sa ka qenë në detyrë, e ka dhënë nën urdhër të Vuçiqit, sepse nuk ka mundur ta marrë atë vendim në mënyrë të pavarur. Doktrinat dhe taktikat i kanë të njëjta dhe të vjetra. Është e habitshme mosreagimi i ambasadorit Hill në Beograd”, tha Veseli.
Në anën tjetër, avokati Shkelzen Sopjani ka thënë se ndikimi i Rusisë është jashtëzakonisht i madh në BIA.
“Ndikimi i Rusisë është jashtëzakonisht i madh në BIA. Deklarimi i Vulinit se ai e ka dhënë urdhrin sa ka qenë në detyrë… edhe nëse e ka dhënë urdhrin, pse nuk është ekzekutuar atëherë kur është dhënë urdhri meqë Sanduloviqi tërë kohën ka qenë në Serbi. Vizita e Sanduloviqit ka qenë vitin e kaluar, ky vetëm e ka postuar. Ata e kanë shfrytëzuar këtë postim si pretekst që ta arrestojnë”.
Sipas tij, deklarata e Aleksandër Vulinit ishte me qëllim që ta “shpëtojë” presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se urdhrin e kishte bërë gjatë kohës sa ai ishte në detyrë.
“Vulini çka ka dashur të bëjë është që ka dashur ta “lajë” Vuçiqin nga kjo, duke pretenduar se ai e ka dhënë urdhrin… kjo shpërfaq edhe ndërlidhjen dhe ndikimin rus në BIA, sepse këtë metodë që e përdori Vuçiqi e kemi parë të përdoret shumë herë nga Putin e Millosheviqi, e sidomos Putini e ka përdorur për ta mënjanuar opozitën”, shtoi ai.
Sopjani theksoi se në dy vitet e fundit në Serbi ka pasur një përndjekje të jashtëzakonshme nga BIA ndaj opozitës serbe dhe kundërshtarët e Putinit, një pjesë e madhe e tyre janë ekstraduar në Rusi.
“Këto taktika me Sanduloviqin i kemi parë edhe me rusë, por edhe me serbë. Pak e çuditshme është që s’ka pasur reagim të ndërkombëtarëve, kam pritur që Christopher Hill të dalë me një reagim, përndryshe krejt çka po shohim është shpërfaqje e fytyrës së vërtetë të Vuçiqit dhe regjimit të tij në Serbi. Vuçiqi është ai i viteve 90-ta si huligan. Karriera, fillet e tij janë këto që po i shohim”, potencoi Sopjani.
Më tej, avokati u shpreh se rreziku real i një konflikti të përmasave më të gjera është në Bosnje dhe në Mal të Zi sesa në Kosovë.
“Ne e kemi luksin e homogjenitetit, e kemi një popullsi të pastër në aspektin etnik, probabiliteti është më i vogël që të ndodhë diçka… duke shtuar prezencën e madhe të NATO-s. Mundësitë i kanë në Bosnje, sepse e kemi një Dodik i cili haptazi e proklamon botën serbe dhe bashkimin me Serbi”, tha ai.
Ndryshe, 30 ditë paraburgim i është caktuar politikanit serb, Nikola Sanduloviq, nga Gjykata e Serbisë.
Këtë e bëri të ditur për Radio Dukagjinin, avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, i cili theksoi se arsyeja kryesore për këtë vendim ka qenë se klienti i tij ka vendosur e lule te varri i Blerina Jasharit, e cila ishte vrarë nga forcat serbe në Prekaz.
“Z.Sandulloviqit i është caktuar paraburgimi fillestar prej 30 ditësh, që i llogaritet nga dje. Pra me propozim të prokurorit, Gjykata i ka caktuar atij paraburgim, sepse ka vendosur lule te varri i Blerina Jasharit, vogëlushes së vrarë në vitin 1998”, tha ai për Radio Dukagjinin.
Stojkoviq i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë në rastin e Sanduloviqit.
Sipas tij, ata janë të vetmit që mund të ndihmojnë.
Sanduloviqit i caktohet masa e paraburgimit, avokati i tij kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët