Profesori Milazim Krasniqi, në një lidhje direkte në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se zhvillimet në Serbi janë problematike edhe për shkak të fitores së Vuçiqit.
“Zhvillimet në Serbi janë jashtëzakonisht problematike edhe për shkak që fitorja e Vuçiqit me shumicë dërrmuese i ka forcuar pozitat dhe politikën e tij, praktikisht fashiste”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se presidenti serb ka ardhur dhe është duke qëndruar në pushtet me “kartën e nacionalizmit”.
“Edhe sulmin në Banjskë e ka paketuar ashtu që iu ka dashtë për fushatën zgjedhore dhe për fitoren atje…E sigurt është një gjë, që projekti i tij “Bota serbe” mbetet aktual edhe në drejtim të Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi”, ka thënë tutje profesori.
Ai ka shtuar se analizat thonë që pas sulmit në Banjskë, ndoshta Bosnja e Hercegovina do të jetë targeti i ardhshëm i sulmeve.
“Por, Kosova do të mbetet nën presion edhe përmes instrumentalizimit që po u bëhet serbëve të Kosovës, presionit në kufij dhe përmes luftës propagandistike që zhvillohet në drejtim të Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.