Regjisori kosovar, Ben Apolloni, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj trendit të dhënies së çmimeve në akademitë e ndryshme, të cilat, sipas tij, ndjekin një trend si në festivalet e Kosovë.
Këtë, ai e ka thënë në emisionin “Rreth e Rrotull” të TV Dukagjinit, ku po diskutohej lidhur me çmimet e “Golden Globe”.
“Tirumfin e ‘OppenHeimer’, nuk e prita aq mirë sepse në këso lloj akademish të ndryshme që ndajnë çmime për filmat është bërë njëlloj trendi që çmimet jepen si në festivalet e Kosovës”, ka thënë Apolloni.
Tutje, sipas regjisorit kosovar, aty ka pasur filma shumë të mirë dhe supozohet që këto ceremoni, akademi e festivale të ndryshme duhet t’i vlerësojnë filmat artistikisht për idetë dhe për realizimet artistike
“Filmi ‘OppenHeimer’ ka merituar çmime teknike, por jo të vlerësohet filmi e regjia më e mirë”, vijon ai.
Më tej, ai ka thënë se filmi i cili do të dëshironte që të triumfonte në Golden Globe të ishte filmi “Killers of the Flower”.
“Unë mendoj për këtë kategorinë për dramë është dashtë të vlerësohet filmi ‘Killers of the Flower Moon’, për shkak se është shumë i thellë dhe bukur i realizuar qoftë në aspektin dramaturgjik, qoftë në interpretimin aktoreskt, regji apo edhe fotografi”, ka përfunduar ai.