Komisioni Evropian ka njoftuar se është duke e ndjekur nga afër incidentin e keqtrajtimit dhe paraburgimit të politikanit të opozitës serbe, Nikola Sanduloviq.
Zëdhënësja e KiE-së, Ana Pisonero, ka thënë në një përgjigje për TV Dukagjinin se po e ndjekin rastin nga afër dhe janë në kontakt me autoritetet përkatëse dhe palët e interesuara.
“Kemi parë raportime në lidhje me paraburgimin dhe keqtrajtimin e supozuar të Sanduloviq. Po e ndjekim nga afër këtë rast dhe jemi në kontakt me autoritetet përkatëse dhe palët e interesuara. Është e rëndësishme që të kemi qartësi të plotë të fakteve rreth këtij rasti. Presim që të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen. Çdo ndalim duhet të bazohet në dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale, dhe çdo pretendim i besueshëm për dhunë duhet të ndiqet efektivisht nga autoritetet kompetente”, ka deklaruar Pisonero.
Sanduloviq është rrahur brutalisht nga policia sekrete serbe në ndërtesën e BIA-s ditë më parë në Serbi, pasi kishte publikuar video duke bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku edhe kërkoi falje për krimet që ka kryer Serbia.
Po ashtu, ka pasur zëra se në torturimin e tij ka marrë pjesë edhe krimineli serb, Milan Radojçiq.
Atij i është caktuar 30 ditë paraburgim nga Gjykata e Serbisë.
Këtë e bëri të ditur për Radio Dukagjinin, avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, i cili theksoi se arsyeja kryesore për këtë vendim ka qenë se klienti i tij ka vendosur e lule te varri i Blerina Jasharit, e cila ishte vrarë nga forcat serbe në Prekaz.
Stojkoviq i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë në rastin e Sanduloviqit.