Ish-presidenti Trump në gjykatë ndërsa kërkon imunitet lidhur me akuzat për zgjedhjet e 2020

Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në gjykatë. Kjo është një nga 4 hetimet penale me të cilat ai përballet ndërsa garon për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë

Gjykata e Apelit në Uashington po dëgjon argumentet e palëve nëse ish-presidenti Donald Trump gëzon apo jo imunitet për t’u ndjekur penalisht mbi akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në gjykatë. Kjo është një nga 4 hetimet penale me të cilat ai përballet ndërsa garon për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Avokatët kanë kërkuar pushimin e çështjes ndaj tij me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe se gjykatat nuk kanë autoritet për të shqyrtuar aktet e një presidenti.

Por, prokurori i posaçëm, Jack Smith, që drejton hetimet ndaj Trump, ka argumentuar se presidentët nuk gëzojnë imunitet të plotë dhe se veprimet për të cilat është akuzuar ish- presidenti, nuk ishin të lidhura me funksionet e tij shtetërore.

Sipas prokurorit Smith, Trump ka vepruar në rolin e një kandidati politik dhe jo në rolin e një presidenti, kur ushtroi trysni mbi zyrtarët zgjedhorë për të përmbysur humbjen e tij ndaj Biden dhe kur nxiti mbështetësit e tij që t’i drejtoheshin Kapitolit në 6 janar të vitit 2021.

Prokurorët thonë se nëse do të pranoheshin argumentet e Trump se ai gëzon imunitet, atëherë, kjo do t’i hapte udhë mundësisë që në të ardhmen një president të mund t’i shpëtonte ndjekjes penale për vepra si marrje ryshfeti në këmbim të një kontrate qeveritare; apo udhëzimin e shefit të FBI-së për të manipuluar prova në dëm të kundërshtarëve politike, apo për shitjen e sekreteve bërthamore te rivalët e huaj.

Në parashtrimet e tyre, ndër të tjera, avokatët e ish-presidentit Trump kanë cituar një dispozitë kushtetuese mbi bazën e së cilës një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën akuzë. Sipas tyre, çështja përmban akuza të ngjashme, me ato që ngriti ndaj Trump Dhoma e Përfaqësuesve, por Senati, organi që zhvillon gjyqin ndaj një presidenti, e shpalli atë të pafajshëm.

Mitch McConnell, kryetari i atëhershëm i shumicës republikane në Senat, u shpreh gjatë gjyqit se për akuzat ndaj ish-presidentit u takonte gjykatave të merrnin vendim.

Disa ekspertë ligjore argumentojë se Trump po tenton që përmes apelimeve të vonojë proceset gjyqësore në pritje të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Nëse Trump rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor, ai mund të përdorë kompetencat e presidentit për të ndërprerë proceset gjyqësore dhe madje edhe të falë veten ndaj çdo krimi federal.

Në Apelin e Uashingtonit, çështja e imunitetit të Trump, po shqyrtohet nga tre gjyqtarë, dy të emëruar nga Biden dhe një nga ish-presidenti Bush. Nuk dihet se kur ata do të marrin vendim, megjithatë gjasat janë që kjo çështje të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Lartë.

Trump ka lënë të kuptohet se do ta shfrytëzojë paraqitjen e sotme në gjykatë për të portretizuar veten si viktimë të përdorimit politik të sistemit të drejtësisë. Deri më tani nuk ka pasur asnjë fakt që të tregojë ndikim të presidentit Joe Biden në çështjen ndaj paraardhësit të tij.

Ky është një rast i paprecedent kur një president akuzohet për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve dhe një terren i ri për organet gjyqësore, që duhet t’u japin përgjigje pyetjeve nëse një ish- president mund të hetohet për aktet e ndërmarra gjatë drejtimit të Shtëpisë së Bardhë./VOA

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika