Policia e Kosovës, konkretisht ILECU-FAST KOSOVA, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere, në dy raste të ndara ka arritur të arrestojë dy persona të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.
Në një komunikatë për medie, policia thotë se të dy personat të kërkuar në bazë të urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Turqisë, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Rasti 1: Me date 09.01.2024, si rezultat i një bashkëpunimi të mirë në mes të njësisë FAST dhe Stacionit Policor VITI, rreth orës 09:30 është ndaluar shtetasi turk, M.K., (viti i lindjes 1960) pasi që i njëjti rezultonte i kërkuar në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritet e Turqisë, për veprën penale Trafikim me Narkotik, i dënuar në Turqi me 22 vite e 6 muaj burgim. Me urdhër të prokurorit kompetent të prokurorisë themelore në Gjilan, personi i kërkuar është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në komunikatë.
“Rasti 2: Me datë 09.01.2024, rreth orës 14:30, njësiti FAST, pas një pune operativo-hetimore me asistimin e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ka bërë arrestimin e shtetasit turk, I.K., (viti i lindjes 1983), i kërkuar në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtarë po ashtu të lëshuar nga autoritet e Turqisë, për veprën penale “Grabitje”, i dënuar nga po ky shtet me 10 muaj burgim. Me urdhër të Prokurorit kompetent të Prokurorisë themelore ne Prishtinë, personi i kërkuar është dërguar në mbajtje për 48 orë”, vijon komunikata.
Pas përfundimit të procedurave ligjore, ku janë të përcaktuara edhe afatet kohore, personat në fjalë pritet të ekstradohen në Republikën e Turqisë.