Sytë e Qeverisë së Kosovës në këtë fillim vit janë kah Josep Borrell.
Ekzekutivi pret të përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme sa më shpejtë t’i kërkojë Komisioni Evropian heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kjo, pasi zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi vazhdon të vlerësojë se kërkesat për heqjen e tyre ka kohë që janë plotësuar.
“Siç e kemi parë dhe në konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së me datë 12 dhjetor, tashmë pritet raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell, për ta konstatuar dhe me shkrim këtë drejt Komisionit Evropian, i cili do çonte pastaj në heqjen e masave. Në vazhdimësi kemi kërkuar që sa më parë të dërgohet letra drejt Komisionit Evropian, ku njoftohet për përmbushjen e kërkesave nga ana e Kosovës dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit tonë”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit
Por ndryshe po mendon vet BE-ja.
Një ditë më parë, ishte zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, ai që bëri të qartë qëndrimin që masat do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.
Në anën tjetër në Kosovë ndaj qeverisë vazhdon të bëjë opozita.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë se si pasoj e mosveprimit nga Qeveria, takimet e rëndësishme për Kosovën po dështojnë.
“Ish dashtë mu hek masat, ne kemi pas takimin me MSA-së që është dashtë të mbahet në nëntor dhe nuk është mbajtur, tash është takimi në mars por ne ende nuk e kemi mbajt takimin e parë. E lus Qeverinë që të punoj më afër me Bashkimin Evropian që këto masa të largohen”, tha Rrezarta Krasniqi nga LDK.
Sipas këtij komisioni si pasojë e vendosjes së masave, Kosova deri tash i ka humbur 298 milionë euro investime që kanë qenë projekte të përbashkëta me BE-në.
Masat ndëshkueses, BE-ja i vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar, pasi vlerësoi se ajo nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për ulje të tensioneve në veri.
Që nga atëherë, Kosova i ka quajtur këto masa si të padrejta.