Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, teksa ka folur për ndalimin dhe arrestimin e dy qytetarëve të Kosovës në kufij me Serbinë, Hasan dhe Xhavit Dakaj, tha se në Serbi po mbahen edhe dy qytetarë të tjerë.
Kreu i ekzekutivit pretendon se dy qytetarët e tjerë që po mbahen në burgjet e Serbisë janë Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula.
Por, ky i fundit është liruar gjatë vitit 2023, e për të cilin Kurti nuk është ende në dijeni.
“Përkundër ndryshimeve pozitive për vendin, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër që po përkeqësohet. Javën e kaluar Hasan Dakaj dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufij me Serbinë. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Është një sjellje e qëllimshme, dashkeqëse e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Serbia vazhdon të mbajë në paraburgime dhe 2 qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula”, tha Kurti.
“Të dy po mbahen në burg për gjoja krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Mehmetaj ka qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë, në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë. Dulaj vuan burgimin përkundër që dëshmitari e mohoi se ai e ka kryer veprën. Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e të dyve nga Serbia. Përgjigje s’kemi pranuar kurrë”, ka deklaruar kryeministri.
Petrit Dula, ish-i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata në Serbi për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë, tashmë është liruar nga akuza.
Në një bisedë ekskluzive telefonike me Portalin Dukagjini, Dula ka treguar se është liruar më shtatë prill të vitit 2023.
Ai ishte mbajtur në një nga Qendrat e paraburgimit të Serbisë, për afër një vit.
“Po, jam liruar më shtatë prill, ndërsa jam arrestuar më katër qershor të vitit 2022”, thotë Dula shkurtimisht për Portalin Dukagjini.