Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është duke penguar jetësimin e reformave nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e këtij dikasteri deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet të trajtojë kërkesat brenda dy muajve sipas ligjit, por e njëjta sipas Haxhiut po i vonon vendimet deri në një vit.
“Gjykata Kushtetuese po pengon jetësimin e reformave. Fakti që ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë se gjykata duhet t’i trajtojë kërkesat e Kuvendit për dy muaj dhe ne po presim një vit dhe kjo po që përbën problem”, tha Haxhiu.
Ajo thekson se ende nuk ka aktgjykim të plotë për Ligjin për Vettingun apo për Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.
“Ende nuk kemi aktgjykimin e plotë për Vettingun në sistemin e drejtësisë. Byroja për konfiskim të pasurisë nuk ka ende vendim që 10 muaj. Kam shpreh mendimet e mia se si po vepron gjykata, institucionet kanë përgjegjësi dhe kryesorja është të ju shërbejmë qytetarëve. Nuk duhet ta marrim dikën me të mirë të marrë një vendim të mirë”, shtoi ministrja.