Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj në një prononcim për Dukagjinin, lidhur me arrestimin e 12 zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një pronari biznesi, ka thënë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 13 personave të ndaluar, në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.
Ndryshe, kujtojmë që 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe një pronar i një biznesi janë arrestuar dje pas një aksioni të Policisë së Kosovës në Podujevë dhe Prizren.
Lexo dhe: Bastisje në Podujevë e Prizren, arrestohen 12 zyrtarë të ATK-së e një pronar biznesi
Zyrtarët e arrestuar të ATK-së dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë eurosh, kinse për ndërtimin e një hoteli, i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë.