Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, teksa ka reaguar ndaj furnizimit të vazhdueshëm të Serbisë me gazin rus, ka thënë se me këtë Serbia ka zgjedhur qartë t’ia mbajë anën Rusisë në agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ka thënë se Serbia do të ketë një çmim të favorshëm për gazin rus.
Ai, po ashtu, ka njoftuar për një marrëveshje që do të nënshkruhet dhe do të jetë trevjeçare, lidhur me furnizimin e kësaj lënde.
Ndërkaq, deputetja e partisë në pushtet ka potencuar se me këtë veprim Serbia po ua kthen shpinën politikave evropiane.
“Ky është një veprim i planifikuar mirë i përkrahjes së agresorit (për të paktën tri vjet të tjera) dhe injorimit të plotë të përputhshmërisë me politikat e BE-së. Tani kushdo që del përpara duke mbrojtur atë që nuk ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, është qartësisht që po anashkalohet”, ka shkruar Kusari në Twitter.
This is a well planned action of 🇷🇸 siding with the agressor 🇷🇺 (for at least three more years) and ignoring completely alignement with #EUPolicy Now everyone who comes upfront defending what there’s nothing left to be defended, is clearly siding with 🇷🇺through 🇷🇸 pic.twitter.com/TJGJmbrWP7
— Mimoza Kusari (@mimozakusari) May 29, 2022
Çmimi i gazit që Serbia do të blejë aktualisht është tri herë më i ulët sesa çmimi me të cilin e blejnë këtë lëndë shtetet e tjera evropiane.
Ndërkaq, në dimër ky çmim do të jetë dhjetë deri në 12 herë më i ulët.
Vuçiq ka theksuar se bashkë me Putinin janë pajtuar për çmimin për furnizimin e 2.2 miliardë metër kubikë gaz në vit dhe shtoi se Serbisë i duhen edhe 800 milionë metër kubikë për shkak të zhvillimit të industrisë.
Marrëveshja aktuale për furnizimin me gazin rus skadon më 31 maj.
Ndërkaq, ndonëse vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk u është bashkangjitur të njëjtave vendime.