Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë pranuar propozimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur presidentja Osmani nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Facebook, teksa e ka falënderuar Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit të saj.
“Falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhërinë e Tij Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Së fundmi, edhe shteti spanjoll ka njoftuar për njohjen e pasaportave të Kosovës, me ç’rast qytëtarët do të mund të lëvizin lirshëm edhe në Spanjë.