Mbi 1 mijë e 700 konsumatorë të energjisë elektrike, kanë dorëzuar ankesë në KESCO për faturat e shtrenjta të muajit dhjetor.
Ata janë ankuar për fatura të larta, derisa nga kompania KESCO thonë se u kanë dhënë sqarimet e nevojshme konsumatorëve.
“Nga 700 mijë konsumatorë sa KESCO ka gjithsej, vetëm 0.25 % prej tyre janë ankuar në aspektin e faturave të energjisë elektrike. Është një numër shumë i vogël krahasuar me numrin e konsumatorëve që kemi, sepse mbi 86% të konsumatorëve kanë pranuar faturë nën 100 euro, ndërkaq vetëm 14% prej tyre kanë pranuar fatura 100 e më lartë”, ka thënë Margarita Rashiti – zëdhënëse në KESCO.
Rashiti tek shton se javëve të fundit është rritur importi i energjisë elektrike për shkak të uljes së temperaturave, thotë se janë duke operuar me çmimin e tarifave të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, në prill të vitit të kaluar.
“Këto janë tarifa që i ka miratuar vetë Rregullatori ne nuk kërkojmë rritje apo zvogëlim të tarifave, ne si kompani, do të thotë, kërkojmë që vetëm të na mbulohen kostot”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, qytetarët thonë se institucionet përgjegjëse do duhej të ndërmerrnin veprime për t’i ndihmuar familjet që nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta.
“Janë ankuar shumë qytetarë rryma është me vlerë më të madhe të pagesës, unë mendoj se shteti duhet të ju ndihmojë qytetarëve që nuk kanë mundësi me i kry krejt pagesat, me intervenu me ndonjë pagesë simbolike”, ka thënë Kosum Mjeku – Qytetar.
E, njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa thotë se është e pashmangshme rritja e tarifave të energjisë elektrike, ndërsa shton se qeveria duhet të ndërmarrë masa për të stimuluar qytetarët apo bizneset për kursim.
“Prandaj për t’i mbrojtur familjet dhe bizneset nga faturat e larta të energjisë elektrike, qeveria do të duhej, të ndërtonte mekanizma për dhënien e këshillave bizneseve apo familjeve që janë të interesuara të investojnë, në projekte për përmirësimin e eficientën e energjisë apo uljen e konsumit të energjisë, këtu përfshihen edhe dritaret termoizoluese, apo fasadat termoizoluese, por edhe investime në sistemin e ngrohjes”, ka deklaruar Haxhimusa.
Ditë më parë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka sugjeruar qytetarët që të ushtrojnë padi dhe të kërkojnë kompensim nga KESCO, ZRrE dhe KEDS, nëse konsiderojnë se faturat e tyre të energjisë nuk kanë qenë në rregull.