Në raportin e saj të përditshëm Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Prishtinë gjatë ditës së diel një person ka mbetur i lënduar si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri nga një person tjetër.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante ku edhe janë gjetur gëzhoja që dyshohet të jenë të armës AK-47.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar kishte mbetur i lënduar prej armës së zjarrit nga një person i dyshuar, me një veturë pa targa. Në vendngjarje kanë dalur të gjitha njësitë relevante, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja që dyshohet të jenë të armës AK-47 si dhe vetura e viktimës, e cila ishte e qëlluar me armë”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Pas plagosjes, viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe më pas është liruar.
Sipas policisë, rasti është iniciuar si tentim vrasje dhe është duke u hetuar edhe më tej.