Të paktën 1.4 milionë jetë janë shpëtuar në Evropë falë vaksinave kundër COVID-19, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), duke ripërsëritur se virusi ende nuk është zhdukur.
Në rajonin evropian të OBSh-së – ku përfshihen 53 shtete, edhe ato në Azinë Qendrore – janë regjistruar 277.7 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 2.2 milionë vdekje, sipas të dhënave më të fundit, që datojnë që nga dhjetori i vitit 2023, shkruan Rel.
“Sot, 1.4 milionë njerëz në rajonin tonë – shumica të moshuar – po e shijojnë jetën me më të dashurit e tyre për shkak se u vaksinuan kundër COVID-19”, tha drejtori për Evropë në OBSh, Hans Kluge.
“Vetëm doza e parë vlerësohet se ka shpëtuar 700.000 jetë”.
Kluge tha se është qenësore që njerëzit të mbrohen gjatë dimrit, veçmas ata që janë më të cenueshëm.
“Teksa ne mësohemi të jetojmë me COVID-19 dhe me viruset e tjera që prekin organet e frymëmarrjes, është absolutisht thelbësore që popullata, që është më e cenueshme që t’i rri gati vaksinimit kundër COVID-it dhe të vaksinohet edhe kundër gripit sezonal”.
Ai insistoi që Evropa duhet të vazhdojë të investojë në sistemet e kujdesit shëndetësor.
Kluge tha se duhen po ashtu më shumë fonde për të adresuar çështjen e mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimeve me ilaçe esenciale.
Sëmundja e koronavirusit fillimisht u shfaq në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe më pas virusi u përhap në mbarë botën. Në botë janë regjistruar mbi 701 milionë raste me COVID dhe afër 7 milionë viktima.