Dy persona kanë mbetur të plagosur të hënën mbrëmë në veri të Mitrovicës, si pasojë e shpërthimit të një granate dore.
Njëri nga të plagosurit, sipas policisë, ka marrë lëndime të rënda, por që i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Valon Preteni nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, për Portalin Dukagjini, ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar si “Vrasje e rëndë në tentativë“, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Me datë 15 janar 2024 rreth orës 23:52, rrugën ‘Knjaz Millosh’ në Mitrovicë të Veriut, një person deri tash i paidentifikuar ka hedhur një mjet shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore, në drejtim të dy viktimave të cilët kanë pësuar plagë trupore. Prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me policinë rasti është duke u hetuar për veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, ka deklaruar Preteni.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin në veri, Veton Elshani, më herët ka thënë për Portalin Dukagjini se lidhur me këtë rast ende nuk është arrestuar ndonjë person dhe se nuk beson që rasti ka të bëjë me çështje etnike.
“Ende nuk ka të arrestuar, derisa nuk kemi arsye të besojmë që ky rast ka lidhje me çështje etnike”, tha Elshani.
Ai shtoi se granata ka shpërthyer jashtë hotelit “Bisevac”.
“Granata ka shpërthyer jashtë hotelit Bisevac, derisa tre persona kanë qenë duke hyrë në veturë”, u shpreh Elshani.
Dy të lënduar nga shpërthimi i granatës së dorës në Mitrovicën e Veriut