Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit evropian të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti.
Osmani ka thënë se Gjergj Kastrioti njohu për të gjallë madhështinë e të bëmave të veta, jehona e së cilave u rrit me kalimin e kohës, duke u shndërruar në busull orientuese.
“Sot kujtojmë përvjetorin e vdekjes së heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit evropian të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, njeriut që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta ruajtur e mbrojtur atdheun e vet e për të krijuar aleanca të fuqishme me perëndimin. I përjetësuar në qindra vepra arti, ai e njohu për të gjallë madhështinë e të bëmave të veta, jehona e së cilave u rrit me kalimin e kohës, duke u shndërruar në busullë orientuese për ne. Lavdi, Gjergj Kastrioti”, citohet të ketë thënë Osmani.
Skënderbeu ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar të vitit 1468, në moshën 63-vjeçare. Ai hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i luftimeve mbrojtëse.
Gjergj Kastriot Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Arbërisë së Veriut dhe i princeshës Vojsava. Në moshë të vogël, ai u mor peng nga Sulltan Murati i II-të si ndëshkim për luftën që i shpalli babai tyre, Gjon Kastrioti.
Jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij Skënderbeu e pengoi edhe zgjerimin osman drejt Evropës.