Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, është takuar me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani.
Në këtë takim është diskutuar për hapa konkretë për ta forcuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve, përfshirë projekte kryesore si Korridori VIII, integrimin dhe sigurinë.
“Angazhimi ynë i palëkundur ndaj këtyre iniciativave, në dobi të vendeve dhe njerëzve tanë, mbetet një prioritet kryesor”, ka shkruar Hasani.
Hasani ka thënë se në këtë takim është rikonfirmuar se lidhjet bilaterale në mes të dy vendeve shërbejnë si model pozitiv për Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit në BE.
Ndërsa, ministri Bujar Osmani për këtë takim ka thënë se në fokusin e tij ishin marrëdhëniet dypalëshe, situata aktuale politike në rajon, aleanca në NATO, perspektivat evropiane të të dy vendeve, si dhe bashkëpunimi dhe nismat e shumta rajonale.
“Tashmë një vit, të dy vendet në mënyrë aktive kanë zhvilluar negociatat dhe kanë përfunduar me sukses procesin e skriningut, duke marrë nota të shkëlqyera, ndërkaq dhe tani janë të gatshme të hapin kllasteret dhe kapitujt; negociatat duhet të vazhdojnë pa vonesë, ndërsa vendet duhet të forcojnë integrimin e tyre në BE edhe para anëtarësimit të plotë”, ka shkruar Osmani.
Kujtojmë se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ishte dje në vizitë në Kosovë.
Hasani pas takimit me homologen nga Kosova, Donika Gërvalla, ka thënë se rajoni është duke kaluar një moment delikat në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.
“Vizita ime është pjesë e një turi në disa vende të rajonit, që ka për qëllim ndarjen e ideve në punën që duhet të bëjmë së bashku për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tanë. Rajoni është duke kaluar një moment delikat, jemi të gjithë dëshmitarë që siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara se në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit”, ka thënë Hasani.
Lexo dhe: Hasani: Serbia ta ndalë lojën qesharake të dërgimit të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën
Ai ka dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, duke thënë se autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë.
“Ishte akt kriminal dhe i rrezikshëm terroristë kundër stabilitetit, integritetit dhe pavarësisë së Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejmë të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, ka vijuar ai.
Ndërsa, ministrja Gërvalla, në këtë konferencë për media, ka theksuar nevojën që bashkësia ndërkombëtare të reagojë pa vonesë ndaj sulmit terrorist serb në Banjskë, duke kërkuar sanksione kundër agresorit.
Lexo dhe: Gërvalla thirrje ndërkombëtarëve: Agresori i Banjskës duhet të sanksionohet
Gërvalla ka potencuar se mungesa e ndëshkimit rrezikon përsëritjen e sulmit të 24 shatorit të vitit të kaluar dhe ka bërë thirrje për një qëndrim të qartë nga komuniteti ndërkombëtar.
“Gjatë bisedës që sapo zhvilluam, e urova ministrin për marrjen e detyrës së tij, e cila lidhet me përgjegjësi të mëdha jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë kombin shqiptar kudo në botë”, është shprehur mes tjerash kryediplomatja kosovare.