Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare është në të mirë të Kosovës, teksa shtoi se garën më të madhe e sheh për vendin e dytë.
Konjufca i ka përmendur edhe sondazhet e fundit që e nxjerrin VV-në të parën me një përqindje të lartë duke theksuar se duhet një koordinim me institucionet përgjegjëse, përfshirë Qeverinë e Presidencën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
“Sa më herët ma merr mendja aq më mirë për Kosovën, mirëpo natyrisht që Qeveria i ka planet e veta, projektet që është duke i realizuar e pastaj në bazë të këtyre dyjave duhet të gjejmë një drejtpeshim në kohën më të mirë të zgjedhjeve e cila do të bëhet me marrëveshje me subjektet politike, po edhe mes kryeministrit, presidentes e edhe mes meje si kryeparlamentar”, u shpreh Konjufca.
Ai e ka komentuar edhe koalicionin që pritet të lidhet ndërmjet AAK-së dhe Nisma Socialdemokrate.
“Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash, Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën me sa e mbaj mend po ndodh sërish, e sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, çka me thanë, sondazhet janë, rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për vendin e dytë”, deklaroi Konjufca.