E enjtja do të jetë dita e fundit, e Jetish Malokut në pozitën e kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pasuesi akoma nuk dihet. Afati për nominim është i hapur deri pasditen e 18 janarit, përderisa kandidaturat do të shqyrtohen gjatë javës së ardhshme.
Përgjatë mandatit të tij, Jetish Maloku, sipas shoqërisë civile nuk ka performuar mirë.
“Procesi i disiplinimit të prokurorëve dhe në veçanti ai i vlerësimit të performancës, si boshte të llogaridhënies së prokurorëve nuk po japin rezultate. Ende shohim aktakuza të cilësisë tejet të dobët, që nuk arrijnë me e kalu as fazën fillestare në gjykatë”, ka deklaruar Labinot Leposhtica nga BIRN.
“Transparenca me media është tejet e vogël. Duke e përjashtuar këtu faktin që tashmë po publikohen më shumë dokumente të ndryshme të KPK-së, megjithatë transparenca e kryesuesit është tejet e vogël. Duke qe … Në fund i kemi raportet e shumta të cilat i kemi publikuar dhe zakonisht mbajmë tryeza të vazhdueshme, i njëjti nuk ka pranuar që të jetë i pranishëm në këto tryeza”, ka deklaruar Eranda Zekaj nga IKD-ja.
I gjithë mandati i Jetish Malokut në krye të KPK-së, është përballur me shumë kundërshtime.
Fillimisht, problematike u pa vet përzgjedhja e tij si kryesues. Kjo për shkak se Maloku ishte rizgjedhur anëtar i Këshillit në vitin 2020, përkundër që ligji për KPK-në e ndalon këtë. Nga pozita e anëtarit, një vit më vonë ai u bë kryesues.
Përgjatë tri viteve në krye të KPK-së, Maloku do të mbahet mend edhe për refuzimin që të marrë pjesë në intervista për media.
Hulumtuesi i lartë në BIRN, Labinot Leposhtica, thotë se kryesuesin e ri do ta presin shumë punë.
“Duhet të fokusohet edhe tek një ndërtim më i shëndetshëm i raporteve me ekzekutivin. Kur e them këtë, kjo nuk nënkupton që Këshilli Prokurorial duhet t’i nënshtrohet apo të pajtohet me politikat të cilat tentojnë me e cënu pavarësinë e këshillit, mirëpo gjithashtu duhet me pas një komunikim më të shëndetshëm, me qenë më proaktiv në iniciativat ligjore, sepse dihet që jemi në një proces të reformës në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Përveç kryesuesit të ri, Këshilli Prokurorial do të duhet të përzgjedhë edhe një anëtar të Këshillit nga shoqëria civile, i cili nuk është zgjedhur që nga viti 2016.